E ftuar në News24, gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje në lidhje me atë që ka ndodhur sot.
“Deri në momentin që do të paraqitej në SPAK konsiderohej person nën hetim, por kur merr dijeni për akuzën, konsiderohet zyrtarisht e pandehur. Kjo u vërtetua zyrtarisht edhe nga SPAK që bëri me dije se gjithçka lidhen në lidhje me tunelin e Llogarasë, kur fillimisht doli fitues firma Gjoka konstruksion, tender që u anulua vetëm pak më vonë. 5 muaj më vonë tenderi u fitua nga kompani turke, me një vlerë 50 mijë euro më shumë nga oferta që kishte dhënë fillimisht “Gjoka”. Ajo që ishte interesanti ishte fakti që në fund ndërtimet u bënë në realitet nga “Gjoka” pavarësisht se tenderin e mori kompania turke.
Burime bëjnë me dije se janë të kryqëzuara me udhëtimet, bisedat telefonike, praktikën e tenderave dhe kanë krijuar panoramën që hetuesit besojnë se kanë arritur një provueshmëri të lartë lidhur me veprën penale”, tha ajo.
Sipas Lalës mbetet në dorën e SPAK të vlerësojë nëse ekziston mundësia për të manipuluar apo ndikuar në prova.
“Gra të cilat janë hetuar zakonisht kanë shkuar në masa të lehta sigurie. Rama u duk sikur kishte një distancim mbi komunikimin e akuzës ndaj Ballukut. Balluku është një grua shumë e fuqishme brenda PS, është numri 2 brenda PS, do të jetë edhe një luftë forcash brenda llojit, brenda PS”, tha ajo.







