Ballina Europë Gjykata Kushtetuese gjermane përmbys rregullat e triazhit

Gjykata Kushtetuese gjermane përmbys rregullat e triazhit

82
0

Triazh mjekësor është vendimi që mjekët marrin në situata të caktuara për pacientët që duhet të trajtojnë të parët.

Gjykata Kushtetuese Federale i shpalli të pavlefshme rregullat në lidhje me të ashtuquajturin triazh në trajtimin mjekësor. Eshtë fjala për udhëzime për stafin mjekësor se si të vendosin radhën e trajtimit të pacientëve kur nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për të gjithë. Dy ankesa për jokushtetueshmëri të paraqitura nga mjekët e urgjencës dhe kujdesit intensiv patën sukses në Karlsruhe, raportoi Gjykata.

Mjekët argumentuan se rregullat në Ligjin e Mbrojtjes nga Infeksionet shkelnin lirinë e tyre profesionale. Gjykata u pajtua me këtë vlerësim. Brenda kuadrit të përgjegjësisë së tyre terapeutike, mjekët janë kompetentë edhe për të vendosur “nëse” dhe “si” zbatohet një trajtim mjekësor. Ndërhyrja ligjore nga qeveria federale nuk është e justifikuar në bazë të kushtetutës. Qeverisë federale i mungon autoriteti legjislativ në këtë fushë. Sipas gjyqtarëve në Karlsruhe, Bundestagu i ka tejkaluar kufijtë e tij me rregullore të tilla specifike.

Landet federale përgjegjëse

Sipas mendimit të Gjykatës, juridiksionin për rregulloret e triazhit mjekësor e kanëlandet federale. Tani atyre u kërkohet të krijojnë korniza ligjore.

Termi “triazh” vjen nga folja franceze “trier”, që do të thotë “të renditësh” ose “të përzgjedhësh”. I referohet praktikës mjekësore të përcaktimit të radhës së kujdesit në situata të jashtëzakonshme, siç janë incidentet me viktima masive, me qëllim shpëtimin e sa më shumë jetëve.

Kriza e koronavirusit e vuri triazhin mjekësor në fokus

Gjatë pandemisë, çështja fitoi rëndësi për shkak të numrit të njësive të kujdesit intensiv. Në vitin 2021, Gjykata Kushtetuese Federale kishte vendosu se shteti ka detyrimin të mbrojë personat me aftësi të kufizuara nga diskriminimi. Deri atëherë, ekzistonin vetëm rekomandime shkencore.

Si rezultat, Bundestagu miratoi një ligj që përcaktonte se kujdesi mjekësor duhet të vendoset “vetëm në bazë të probabilitetit aktual dhe afatshkurtër të mbijetesës”, dhe jo në bazë të jetëgjatësisë ose shkallës së brishtësisë.

Në fund të vitit 2023, 14 mjekë të urgjencës dhe kujdesit intensiv ngritën një ankesë kushtetuese me mbështetjen e shoqatës Marburger Bund. Ndër të tjera, ata kundërshtuan ndalimin e të ashtuquajturit “triazh ex post”, domethënë mundësinë e ndërprerjes së trajtimit të vazhdueshëm në favor të një pacienti me një prognozë më të mirë.

Marburger Bund argumenton se kjo bie ndesh me etikën mjekësore: në situata ekstreme emergjente, mjekët privohen nga mundësia për të shpëtuar sa më shumë njerëz të jetë e mundur. / DW