Qeveria synon të rikthejë skemën e kompensimit të TVSH-së në bujqësi, por jo përmes fatura të blerësve, si ndodhte në skemën e mëparshme që u hoq plotësisht në 2022.
Me skemën e re propozohet që fermerët të kompensohen me 10% të TVSH-së së paguar për blerjen e inputeve bujqësore. Pra fermerët do të përfitojnë kompensim 10% të TVSH së paguar për inputet bujqësore (për farat, pesticidet dhe fidanët ). Prej vitit 2019 deri në dhjetor 2021 TVSH-ja për inputet bujqësore ka qenë zero. Nga 1 janari 2022 pas miratimit të ndryshimeve fiskale hyri në fuqi vendosja e TVSH-së 10% te çmimet e inputeve bujqësore.
Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar” përcakton se norma e kompensimit të prodhuesve bujqësorë prej 10% ka si qëllim t’i kompensojë ata për një pjesë të TVSH-së që paguajnë për inputet, në funksion të realizimit të prodhimeve të tyre bujqësore.
“Kompensimi i prodhuesve bujqësorë me normë fikse është një mekanizëm i TVSH-së, për ata fermerë që nuk i nënshtrohen TVSH-së dhe si të tillë, as nuk ngarkojnë TVSH për blerësit e produkteve të tyre bujqësore, por as kanë të drejtë të zbresin TVSH-në e paguar në blerje. Norma e kompensimit të prodhuesve bujqësorë prej 10 për qind ka si qëllim t’i kompensojë ata për një pjesë të TVSH-së që paguajnë për inputet, në funksion të realizimit të prodhimeve të tyre bujqësore.
Mënyra e propozuar me këtë projektligj është ajo nëpërmjet administratës tatimore, mënyrë kjo e aplikueshme edhe nga vende të tjera, si për shembull, Franca dhe Greqia. Duke qenë se, skema e kompensimit me rimbursim nëpërmjet administratës tatimore do të zbatohet për herë të parë, në funksion të mirëadministrimit, propozohet që skema të kufizohet duke përcaktuar që blerësi i produkteve bujqësore duhet të jetë një person i tatueshëm i regjistruar për TVSH-në, i cili ushtron aktivitet si, grumbullues ose/dhe përpunues i produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar sipas legjislacionit në fuqi për turizmin.
Vende të tjera të Ballkanit Perëndimor që kanë zgjedhur të aplikojnë këtë skemë janë Bosnje-Hercegovina, me një normë kompensimi prej 5%, si dhe Kosova, Serbia dhe Mali i Zi, të cilat kanë një normë kompensimi prej 8%, e ndryshme nga shkalla standarde e TVSH-së që varion nga 17-21%.
Ndërsa, në vendet e Bashkimit Evropian që aplikojnë këtë skemë, norma e kompensimit varion nga rreth 2-12%, e ndryshme nga shkalla standarde e TVSH-së që varion nga rreth 19-25%”, sqarohet në relacionin e projektligjit.
Në relacion theksohet se tre janë elementet kryesore ku konsiston projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar”:
Propozimet sipas këtij projektligji marrin në konsideratë incentivat aktuale për sektorin bujqësor (trajtimi me shkallë të reduktuar të TVSH-së prej 10%, përjashtimet nga TVSH-ja brenda vendit dhe në import, si dhe subvencionimi për naftën), përfshirë këtu edhe faktin se kompensimi i fermerëve direkt nëpërmjet blerësit, skemë kjo e aplikuar më herët, nuk ka rezultuar të jetë funksionale.
Në projektligj theksohet se trajtimi nëpërmjet skemës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë synon të kontribuojë në forcimin e ekonomisë dhe formalizimin e sektorit bujqësor, duke nxitur pajtueshmërinë dhe zbatueshmërinë nga ana e palëve të përfshira në transaksion.
Pra për përfitimin e kompensimit blerësi detyrohet të lëshojë faturën tatimore të fiskalizuar, dokument ky i nevojshëm për qëllime të njohjes së shpenzimeve tatimore të zbritshme, ndërsa fermeri duhet ta kërkojë dhe disponojë këtë faturë në funksion të përfitimit të kompensimit sipas këtij projektligji.
Në nenin 3 është parashikuar një riformulim i nenit 150 “Mënyra e zbatimit të skemës”, si më poshtë:
“1. Blerësi i produkteve bujqësore, person i tatueshëm i regjistruar për TVSH-në, i cili ushtron aktivitet si, grumbullues ose/dhe përpunues i produkteve bujqësore apo agroturizëm i certifikuar sipas legjislacionit në fuqi për turizmin, lëshon një faturë tatimore për shitësin, prodhues bujqësor për çdo furnizim mallrash dhe shërbimesh të marrë prej tij. Vlera e faturës përfaqëson vlerën e furnizimit të paguar nga blerësi për llogari të shitësit, mbi të cilën aplikohet norma e kompensimit, sipas këtij ligji.
Projektligji parashikon se skema e re e kompensimit pritet të nisë nga 1 janar 2026./Monitor







