Ndonëse ndërhyrjet kufizuese të Bankës së Shqipërisë kanë sjellë uljen e interesave që aplikojnë kompanitë e mikrokredive, ato mbeten sërish në nivele rrënuese.
Iute, kompania më e madhe e mikrofinancës në Shqipëri, raportoi se norma mesatare e interesit për kreditë e reja që u disbursuan gjatë tremujorit të parë të këtij viti ishte 31.7 për qind mbi bazë vjetore, nga 36.5 për qind që ishte në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Të dhënat e konsoliduara në rang grupi, tregojnë se Shqipëria vazhdon të mbetet hambari kryesor dhe tregu me fitimin më të madh të Iutes, një kompani e cila ka aktivitet në katër vende.
Në fund të vitit të kaluar, Iute kishte një portofol kredie prej 104 milionë eurosh në Shqipëri.
Sipas të dhënave, ky portofol kredish i gjeneroi më shumë se 37 milionë euro të ardhura nga interesat dhe komisionet duke e vendosur Shqipërinë si burimin kryesor të fitimeve, ndërkohë që në vend të dytë u rendit Moldavia ku Iute gjeneroi 23.5 milionë euro të ardhura.

Te ardhurat nga interesi, Iute
Ndërkohë për tremuajt e parë të këtij viti, Iute raportoi se të ardhurat nga interesi në Shqipëri ishin 9.25 milionë euro me rritje prej 3.3 për qind krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Krehja vazhdon
Iute dhe Kredo janë dy kompanitë huadhënëse me kreditë me të shtenjta të interesit në Shqipëri. Aktualisht norma mesatare e interesit për kreditë e dhëna nga këto dy kompani qëndron mbi 31 për qind në vit, ose 5 herë mbi interesin mesatar të kredive bankare.
Për shkak të interesave të lartë, një numër i madh qytetarësh që marrin kredi nga institucionet e mikrofinancës nuk arrijnë t’i shlyejnë dot në kohë duke hyrë më pas në ciklin e borxheve rrënuese. Një pjesë e tyre kalojnë në proçedura ekzekutimi përmbarimor, ndërsa të tjerë rinovojnë borxhin me borxh të ri.
Skandali i mikrokredive në Shqipëri kulmoi dy vjet më parë me shpërthimin e skemës MCA, e cila çoi në tjetërsimin e pronave të mijëra familjeve shqiptare, shumica në mënyrë të fshehtë. Por pavarësisht dramës së madhe sociale, biznesi i mikrokredive të shtrenjta vazhdon të rritet me ritme agresive.
Sipas të dhënave nga bilancet, Iute dhe Kredo raportuan se vitin e kaluar regjistruan më shumë se 350 mijë aplikime për kredi të reja, duke miratuar 262 mijë prej tyre./Kapitali







