Ballina Ekonomia 56% e bizneseve morën kredi për investime afatgjata në 6-mujorin e parë...

56% e bizneseve morën kredi për investime afatgjata në 6-mujorin e parë 2025

72
0

Bizneset vijojnë të shohin huanë bankare si mjetin kryesor të huamarrjes dhe financimit të veprimtarisë së tyre.

Sipas Bankës së Shqipërisë, rreth 89% e ndërmarrjeve huamarrëse janë drejtuar sistemit financiar si burim i vetëm huamarrjeje (87% nga bankat, 1% nga institucione jobanka dhe 1% si kombinim i të dyjave), ndërsa 7% kanë përdorur burime joformale dhe 4% një kombinim të formaleve me joformalet.

Pesha e ndërmarrjeve që marrin vetëm hua formale ka rënë me 2 pp krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 3 pp në terma vjetorë, për shkak të rënies së huamarrësve nga sektori jobankar, ndërkohë që pesha e atyre bankarë është rritur.

Sipas madhësisë, huaja formale është përdorur nga 87% e ndërmarrjeve të vogla, 90% të mesme dhe 90% të mëdha, me rënie respektive prej 0, 4 dhe 2 pp. Huaja e kombinuar (formale dhe joformale) është deklaruar nga 4% e ndërmarrjeve të mesme dhe 5% e të mëdhave.

Rreth 85% e ndërmarrjeve të vogla, 90% të mesme dhe 87% të mëdha kanë marrë hua vetëm nga bankat. Ky tregues është rritur në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (me 4 pp dhe 2 pp), por ka rënë në terma vjetorë. Ndërmarrjet e mëdha nuk kanë ndryshuar këtë 6-mujor, por kanë shënuar rritje me 4 pp në krahasim me një vit më parë. Përdorimi i institucioneve jobanka mbetet minimal (2% të vogla, 0% të mesme, 1% të mëdha).

Për çfarë qëllimi përdoret huaja? 

Shumica e ndërmarrjeve (56%) kanë marrë hua për investime afatgjata dhe 30% për shpenzime operative afatshkurtra. Pesha e huave për investime është rritur me 10 pp për gjashtë mujor dhe 23 pp vjetor, sidomos në ndërmarrjet e vogla dhe të mëdha (rritje përkatësisht 18 dhe 12 pp). Huaja për shpenzime afatshkurtra ka rënë për ndërmarrjet e vogla e të mëdha, por është rritur për të mesmet.

Rreth 7% e ndërmarrjeve kanë marrë hua për më shumë se një qëllim, zakonisht për kombinimin e investimeve me shpenzimet afatshkurtra, ose për shlyerje huash ekzistuese — një peshë që ka rënë në të gjitha madhësitë.

Ndërsa, sa i përket monedhës, huamarrja në lekë mbetet dominuese (48%), pasuar nga ajo në valutë (44%) dhe e kombinuar (8%). Huaja në lekë është më e përhapur në ndërmarrjet e mesme (57%) dhe të mëdha (47%), me rritje prej 1 pp, ndërsa ndërmarrjet e vogla preferojnë huatë në valutë (60%, kryesisht në euro), me rritje 5 pp krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar. /ekofin.al