Beteja ligjore mes ish-çiftit të njohur të Hollywood-it, Brad Pitt dhe Angelina Jolie, për pronësinë e vreshtarisë së famshme franceze Château Miraval, ka marrë një kthesë të re. Dokumente të dorëzuara në gjykatë në fund të tetorit tregojnë se Pitt po kërkon nga Jolie një kompensim prej rreth 30 milionë dollarësh, në lidhje me shitjen e aksioneve të saj në pronë.
Në dosjen e re gjyqësore janë përfshirë edhe komunikime elektronike mes përfaqësuesve ligjorë të të dy palëve, që lidhen me shitjen e pjesës së Jolie në vitin 2021. Një prej email-eve të përfshira në dosje tregon se avokatët e aktores e akuzojnë Pitt për “krijimin e vështirësive të panevojshme” në proces, duke theksuar se kërkesa e tij për dëmshpërblim është “produkt i veprimeve të tij”.
Në një tjetër korrespondencë thuhet se Pitt ka kërkuar “kompensim të përhershëm” për dëmet që, sipas tij, i janë shkaktuar biznesit të Miraval. Nga ana tjetër, ekipi ligjor i Jolie pretendon se aktori ka refuzuar të dorëzojë dokumente që lidhen me arsyet e insistimit të tij për një marrëveshje konfidencialiteti katërvjeçare, të cilën ata e konsiderojnë të rëndësishme për zbardhjen e plotë të çështjes.
Procesi ligjor nisi në vitin 2022, kur Pitt paditi Jolie për shitjen e pjesës së saj pa miratimin e tij. Aktorja e mohoi ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë dhe e akuzoi ish-bashkëshortin se po e përdor gjykatën për “motive hakmarrjeje personale”.







