Ballina Opinion Identiteti as nuk përcaktohet, as nuk mohohet me ligj

Identiteti as nuk përcaktohet, as nuk mohohet me ligj

82
0

Nga Namir Lapardhaja 

Ligji për barazinë gjinore i votuar së fundmi nga Kuvendi i Shqipërisë, përveçse në letër, nuk pritet të ndryshojë asgjë në jetën e shqiptarëve, as për mire, as për keq.

Arsyeja është e thjeshtë: identieti apo identitetet, qofshin kulturore, fetare, gjuhësore apo edhe gjinore, as nuk mund të përcaktohen, as mund të mohohen me ligj.

Fatmirësisht në shoqërinë shqiptare tematika të tilla janë vetëm pjesë ose e axhendave të caktuara, ose e OJF-ve që ekzsitojnë financiarisht vetëm nëpërmjet nxitjes së diskutimeve të tilla.

Problemet e Shqipërisë së përditshme janë të një natyre dhe karakteri tjetër. Varfëria, korrupsioni, mungesa e drejtësisë, papunësia apo emigracioni, nuk duan t’ia dinë për atë se çfarë deklarohen apo duan të ndihen njerëzit.

Të flasësh për “barazi gjinore” në një vend ku mijëra gra e burra ndajnë të njëjtin fat ekonomik dhe social, nuk është aspak serioze.

Si shoqëri, pavarësisht deformimeve karakteriale të tranzicionit, mbetemi ende të ndjeshëm ndaj familjes, raportit burrë–grua dhe ndjenjës së të moralshmes dhe të pamoralshmes, të cilat nuk mund të zhbëhen me ligje, ashtu sikurse nuk mund të vendosen apo të imponohen me të tilla.

Çshenjtërimi që ‘modernitetit’ i ka dhënë këtyre elementeve në pjesë të caktuara të Botës, fatmirësisht ende nuk e ka prekur shoqërinë tonë, kështu që çdo firkë e kësaj natyre është e tepërt dhe e pajustifikuar.

Pavarësisht sa më sipër, në këtë kontekst, na shfaqet një mazhorancë që është e gatshme të votojë gjithçka që i kërkohet për të dhënë idenë e progresit dhe një opozitë të lodhur, groteske, pa vizion, që shpenzon energji në debate periferike dhe nuk mban përgjegjësi për mungesën e përfaqësimit që e ka lënë këtë vend.

Që njerëzit të jenë të barabartë në të drejta dhe detyra, kjo është absolute, por që edhe përcaktimi zanafillor dhe nevoja për të vijuar ekzistenca e natyrës njerëzore, është thelbësisht e qartë për mënyrën dhe rrugën se si ecën përpara, edhe kjo as nuk mund të bëhet, as nuk mund të zhbëhet.

Bindjet dhe ndjesitë e individit nuk mund të imponohen, kështu që një vend që ruan disa vlera të bashkëjetesës dhe moralit, identiteti as nuk mund të votohet, as nuk mund të mohohet, sepse ai thjesht jetohet ashtu siç ke dëshirë të ndihesh dhe ta jetosh.