Kërkesa e socialistëve për të mbajtur larg Kuvendit liderin e PD-së, Sali Berisha, është një akt i turpshëm politik, servil dhe që tregon abuzimin me pushtetin të mazhorancës që ka arritur kulmin dhe mban peng Parlamentin.
Kështu u shpreh sot nënkryetari i Kuvendit, njëkohësisht deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, në një deklaratë publike për zhvillimet e djeshme dhe të sotme politike, brenda dhe jashtë parlamentare.
Duke marrë shkas nga kërkesa e grupit të PS për të përjashtuar në Komisionin e Etikës kreun e selisë blu Berisha, me pretendimin e fyerjeve që i bëri ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato, Gjekmarkaj nënvizon se “turpet për këtë mazhorancë nuk kanë fund”.
“Abuzimi i socialistëve me pushtetin dhe me Kuvendin ka arritur kulmin! Me arrogancën e një mazhorance të frikësuar nga e vërteta, ata po përpiqen të fikin opozitën dhe të mbyllin gojën e çdo zëri ndryshe. Propozimi për të mbajtur liderin e opozitës, Sali Berishën, jashtë Kuvendit, është një akt politik i turpshëm dhe një demonstrim servilizmi ndaj pushtetit absolut per te spostuar vemendjen nga turpet qe i kanë vënë për fund!”, shprehet ai mes të tjerash.
Ligjvënësi akuzon socialistët se duan që të shtypin opozitën në fjalën e saj dhe se ata nuk kanë asnjë lidhje me Evropën, por vetëm me pushtetin.
Deklarata e plotë:
“Abuzimi i socialistëve me pushtetin dhe me Kuvendin ka arritur kulmin! Me arrogancën e një mazhorance të frikësuar nga e vërteta, ata po përpiqen të fikin opozitën dhe të mbyllin gojën e çdo zëri ndryshe.
Propozimi për të mbajtur liderin e opozitës, Sali Berishën, jashtë Kuvendit, është një akt politik i turpshëm dhe një demonstrim servilizmi ndaj pushtetit absolut per te spostuar vemendjen nga turpet qe i kanë vënë per fund!
Kjo është shfaqja më e pastër e një mazhorance që ka humbur çdo ndjenjë mase e dinjiteti.
Ky është një akt servil nga partia më antieuropiane në historinë e Shqipërisë partia e dikurshme jugosllave, sovjetike e kineze, partia e izolimit, që për gjysmë shekulli mbajti vendin të mbyllur pas hekurave të diktaturës! Dhe sot, pikërisht ajo parti guxon t’i flasë për Europën Partisë Demokratike — asaj force që thyeu izolimin, që shndërroi “E duam Shqipërinë si gjithë Europa” në moton e përhershme ne perpetum mobile të jetës politike shqiptare, dhe që riktheu aleancat historike të vendit me Perëndimin.
Ironia është e dhimbshme, por e vërteta është e qartë: ata nuk kanë asnjë lidhje me Europën, përveçse si maskë për pushtetin. Ata janë korrupsioni, pas tyre shkon shëmtia.
Sot Parlamenti është marrë peng. Fjala e lirë është në sulm, dhe e vërteta përndiqet si armike. Por duhet ta dinë mirë: zëri i opozitës nuk do të shuhet, dhe Sali Berisha do të mbetet simboli i qëndresës, i së vërtetës dhe i rrugës europiane të Shqipërisë.
Shqipëria nuk do të kthehet më në errësirë. Demokracia do të rikthehet, dhe e ardhmja e këtij vendi është vetëm një: Shqiptaret do te reagojnë!
Shqipëria si gjithë Europa por atë nuk e bëjnë dot mbeturina bolshevike e bëjnë qytetarët e këtij vendi!







