Partia Demokratike ka denoncuar Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit se ka bërë kontrata të dyshimta me vlerë miliona euro.
Në një prononcim për mediat, zëdhënësja e Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli tha se ka shpenzuar 7 milionë euro me TVSH gjatë periudhës 2018-2025, duke përdorur procedura të mbyllura dhe pa transparencë, me negocim pa shpallje të njoftimit të kontratës, dhe me të njëjtin përfitues në çdo rast.
Ajo tha se Partia Demokratike i kërkon SPAK të nisë menjëherë hetimet për këto kontrata dhe të japë përgjigje për pyetjet thelbësore që prekin interesin publik.
“Për QSUT-Janë lidhur 4 kontrata mirëmbajtjeje me vlerë totale 4.3 milionë euro (2018, 2020, 2022, 2025). Edhe pse objekti është i njëjtë, vlera e kontratave është rritur nga 800 mijë euro në 2018 në 1.6 milionë euro në vitin 2025. Për Spitalin Universitar të Traumës-Janë lidhur 4 kontrata me vlerë totale 1.8 milionë euro (2019, 2021, 2023, 2025). Vlera është pothuaj trefishuar nga 300 mijë euro në 2019 në 888 mijë euro në 2025. Për Spitalin ‘Shefqet Ndroqi’-Janë lidhur 3 kontrata me vlerë 517 mijë euro (2019, 2022, 2024).”,tha Vangjeli.
Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:
Ndërsa shëndetësia shqiptare ndodhet në një gjendje të mjerueshme, me mungesa kronike të medikamenteve në Onkologjik, Pediatri dhe spitale të tjera, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) nën varësinë e Edi Ramës, vazhdon të shpenzojë miliona euro për kontrata të dyshimta.
Vetëm për mirëmbajtjen e sistemit të informacionit të shëndetësisë, AKSHI ka shpenzuar 7 milionë euro me TVSH gjatë periudhës 2018-2025, duke përdorur procedura të mbyllura dhe pa transparencë, me negocim pa shpallje të njoftimit të kontratës, dhe me të njëjtin përfitues në çdo rast.
Kështu:
Për QSUT-Janë lidhur 4 kontrata mirëmbajtjeje me vlerë totale 4.3 milionë euro (2018, 2020, 2022, 2025).
Edhe pse objekti është i njëjtë, vlera e kontratave është rritur nga 800 mijë euro në 2018 në 1.6 milionë euro në vitin 2025.
Për Spitalin Universitar të Traumës-Janë lidhur 4 kontrata me vlerë totale 1.8 milionë euro (2019, 2021, 2023, 2025).
Vlera është pothuaj trefishuar nga 300 mijë euro në 2019 në 888 mijë euro në 2025.
Për Spitalin ‘Shefqet Ndroqi’-Janë lidhur 3 kontrata me vlerë 517 mijë euro (2019, 2022, 2024).
Në total, 11 kontrata janë dhënë pa garë dhe pa transparencë, me të njëjtin operator ekonomik, duke krijuar një monopol në mirëmbajtjen e sistemit të informacionit shëndetësor dhe duke ngritur dyshime serioze për abuzim me fondet publike.
Partia Demokratike i kërkon SPAK të nisë menjëherë hetimet për këto kontrata dhe të japë përgjigje për pyetjet thelbësore që prekin interesin publik:
A ka respektuar AKSHI nenin 47 të Ligjit për Prokurimet Publike, sipas të cilit përdorimi i kontratave me negocim pa shpallje lejohet vetëm në situata specifike që nuk duhet të shkaktohen nga vetë autoriteti kontraktor?
Pse janë rritur fondet limit dhe vlerat e kontratave nga viti në vit, ndërkohë që objekti i shërbimit mbetet i njëjtë?
Pse për 11 kontrata është përzgjedhur vetëm një operator ekonomik, duke eliminuar konkurrencën?
A është reale kostoja e këtij shërbimi që me kontratat e fundit të paktën për QSUNT shkon në 81 mijë euro në muaj për mirëmbajtje sistemi?
Paratë e qytetarëve shqiptarë duhet të shkojnë për pacientët, për përmirësimin e shërbimit shëndetësor dhe për furnizimin me medikamente, jo për kontrata të dyshimta që mbushin xhepat e klientëve të pushtetit.







