Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas votimit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe të votojnë. Sipas Osmanit, Kosova ka një demokraci elektorale të fortë.
“Është një ditë po aq e rëndësishme sa raundi i parë i zgjedhjeve, sepse qytetarët tanë vendosin për një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.
Kosova ka demokracinë më të fortë elektorale në rajon, dhe kjo është pikërisht për shkak të pjesëmarrjes së qytetarëve tanë në votim, për shkak të rregullsisë së proceseve zgjedhore dhe për shkak se gjithmonë organizojmë zgjedhje të lira dhe demokratike.
Jam plot besim se edhe dita e sotme do të jetë e tillë, pra do të organizohen zgjedhje të lira dhe demokratike, ku secili qytetar do ta shfrytëzojë të drejtën e tij kushtetuese për komunën ku jeton”, deklaroi Osmani para gazetarëve.
Osmani e pyetur për zgjedhjet në nivel nacional, ka thënë se ata janë ende në pritje të zhvillimeve para se vendi të shkojë drejt këtij procesi.
“Zgjedhjet lokale në Kosovë nuk kanë ndikim në proceset në nivel nacional në të cilat po kalojmë. Proceset në nivel nacional po zhvillohen në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit, dhe do të shohim në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë”.
Aktualisht, procesi i votimit po zhvillohet në 18 komuna të Kosovës, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.







