Ballina Aktualitet Kontrollet në banesën e tij dhe të bashkëjetueses, Ahmetaj padit qeverinë në...

Kontrollet në banesën e tij dhe të bashkëjetueses, Ahmetaj padit qeverinë në Strasburg: Të paligjshme

114
0

Ish zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij Erjola Hoxha, kanë paditur në Gjykatën e Strasburgut shtetin shqiptar referuar kontrolleve të ushtruara në banesën e tyre më datë 9 mars 2023 me vendim të Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) i firmosur më datë 8 mars.

Ahmetaj pretendon se kontrollet ishin të paligjshme pasi janë kryer në kohën kur ai ishte ende deputet i Kuvendit të Shqipërisë dhe se është i është shkelur imuniteti si ligjvënës. Referuar ligjit të Kushtetueses, banesat e deputetëve nuk mund të kontrollohen pa autorizim paraprak të parlamentit.

“Kërkuesi i parë ishte në kohën përkatëse një Anëtar i Parlamentit (AP), dhe kërkuesja e dytë është partnerja e tij. Kërkesa ka të bëjë me kontrollin e kryer më 9 mars 2023 ndaj personit dhe telefonit celular të kërkueses së dytë dhe banesës së përbashkët të kërkuesve, mbi bazën e një vendimi të Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të lëshuar më 8 mars 2023.

Vendimi përfundimtar është miratuar nga Gjykata Kushtetuese më 12 dhjetor 2023 dhe u njoftua kërkuesve më 12 janar 2024.

Kërkuesit ankohen se kontrolli i banesës së tyre ishte i paligjshëm, pasi kërkuesi i parë ishte AP në kohën përkatëse, dhe banesa e tij nuk mund të kontrollohej pa autorizim paraprak të Parlamentit (sipas nenit 73 (2) të Kushtetutës); dhe se ata nuk kishin qasje në një procedurë për të kundërshtuar kontrollet në fjalë, në kundërshtim me kërkesat e neneve 8 dhe 13 të Konventës.

A ka pasur shkelje të së drejtës së kërkuesit të parë për respektimin e banesës së tij, të garantuar nga neni 8 i Konventës? Në veçanti, a është kryer kontrolli i banesës në përputhje me nenin 73 (2) të Kushtetutës mbi imunitetin e AP-ve? A ka shteruar kërkuesi i parë ndonjë mjet efektiv juridik në këtë drejtim?

A ofronin legjislacioni dhe praktika vendase mjete procedurale të mjaftueshme për të kundërshtuar ligjshmërinë e urdhrit të kontrollit, mënyrën e kryerjes së kontrolleve të banesës së tyre dhe të personit dhe telefonit celular të kërkueses së dytë, ose sekuestrimin e sendeve në banesën e tyre, siç kërkohet nga nenet 8 dhe 13 të Konventës (shih Brazzi kundër Italisë, nr. 57278/11, §§ 41-48, 27 shtator 2018; Giuliano Germano kundër Italisë, nr. 10794/12, § 95, 22 qershor 2023; Mukhtarli kundër Azerbajxhanit, nr. 39503/17, §§ 216 dhe 217, 5 shtator 2024; dhe Posevini kundër Bullgarisë, nr. 63638/14, § 84, 19 janar 2017)? Në veçanti, a ishte vendimi gjyqësor i 8 marsit 2023 i ankueshëm?

Qeveria ftohet të paraqesë jurisprudencën përkatëse dhe shembuj të shqyrtimit nga gjykatat më të larta të apelimeve të ngjashme”, thuhet në dokument.

Më 9 mars agjentët e BKH-së kontrolluan në Palasë vilën e ish-bashkëshortes së Ahmetajt Arjola Mançka dhe banesën private në Hamallaj në pronësi të partneres aktuale të Ahmetajt, Erjola Hoxha, ku u gjet edhe telefoni Blackberry, në të cilin ishin fshirë mesazhet dhe telefonatat me pronarët e kompanive të incineratorëve. Bashkë me urdhërat e kontrollit, SPAK me vendim të Gjykatës së Posaçme ka vënë në sekuestro preventive 6 pasuri, 4 nga të cilat apartamente, njëri i përshtatur si AIR-BNB në pronësi të Arben Ahmetajt në zonën e Shallvareve si dhe 2 llogari bankare të tij në shumën totale që shkojnë në 124.300 euro.

Në kërkesën drejtuar Kuvendit për arrestimin e tij, për veprën e pastrimit të produkteve të veprës penale citohen dy apartamente me sip 124.15 m2 dhe me sip 148.8 m2, në Selitë, sipërfaqe trualli 521.13 m2 dhe sip ndërtese 98 m2 ndodhur në NB Hamallaj, e identifikuar si Vila Saphire nr. 22, e përfituar ne vitin 2017, apartament me sip 178.68 m2 dhe 1 (një) garazhdi, me sip 21 m2, në Selitë dhe apartament me sipërfaqe 167 m2, tek rruga Reshit Çollaku, në Tiranë.