Biznesmeni Behgjet Pacolli ka deklaruar se dy persona të tjerë, që kanë punuar si vartës të Valon Llukës në kompaninë Hirano, pjesë e Grupit Mabetex, janë arrestuar ditën e djeshme në Kosovë. Në një reagim, Pacolli thotë se në këtë kompani në Mitrovicë janë kryer keqpërdorime që kanë dëmtuar jo vetëm kompaninë dhe aksionarët e saj, por edhe fondet e Bashkimit Europian, të cilat ishin dedikuar për zhvillimin e fabrikës. Sipas Pacollit, dokumentacioni që disponon Prokuroria përmban të dhëna që ngrenë dyshime për mashtrime dhe përvetësim të fondeve të destinuara për investimin në Hirano.
Në reagimin e tij, biznesmeni shkon më tej, duke pretenduar se parregullsi të ngjashme janë konstatuar edhe në kompani të tjera të Grupit Mabetex ku Valon Lluka ka ushtruar funksione drejtuese. Pacolli përmend në mënyrë të veçantë edhe projektin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, të cilin e cilëson si një tjetër rast ku, sipas tij, janë ngritur dyshime për mashtrim. “Aty ku shfaqet emri i Valon Llukës kërkohen sqarime”, shprehet Pacolli, duke i kërkuar drejtësisë që të hetojë rolin e tij dhe të bashkëpunëtorëve, si dhe çdo kontratë, transaksion apo vendim që mund të rezultojë i dyshimtë. Ai paralajmëron se çdo dëm i pretenduar do të dokumentohet dhe se përgjegjësitë duhet të përcaktohen nga organet e drejtësisë. “Do të përdorim çdo mjet ligjor për të mbrojtur interesat tona dhe nuk do të heqim dorë”, deklaron biznesmeni.
Reagimi i plotë
“Janë arrestuar edhe dy persona që kanë punuar si vartës të Valon Llukës në kompaninë Hirano, pjesë e Grupit Mabetex, e administruar nga Valon Lluka. Valon Lluka këtu, sipas dokumentacionit në dispozicion të prokurorisë, nuk ka dëmtuar vetëm kompaninë Hirano në Mitrovicë, aksionarët e saj, por nëpërmjet mashtrimeve kanë vjedhur edhe fondet e Bashkimit Europian që ishin dedikuar për zhvillimin e kësaj fabrike. Këto zhvillime e përforcojnë punën korrekte të organeve të drejtësisë së Kosovës dhe kërkesën tonë për hetimin e plotë të dyshimeve për keqpërdorimet që kemi denoncuar si ilegale.
Çdokund, pothuajse ku ka operuar Valon Lluka, jemi duke zbuluar parregullsi që kanë shkaktuar dëme kolosale kompanisë sonë e që janë si rezultat i mashtrimeve e hajnisë, në kundërshtim të normave të mirësjelljes, edukatës dhe detyrimeve kontraktuale të çdo punëmarrësi. Këto mashtrime tani po zbulohen duke filluar nga Hirano në Mitrovicë, kompanitë e Grupit Mabetex ku Valon Lluka ka vepruar e deri te mashtrimi i tij i famshëm Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës. Aty ku shfaqet emri i Valon Llukës kërkohet sqarim!
Nga drejtësia kërkojmë që roli i tij dhe i bashkëpunëtorëve të tij, si dhe çdo kontratë, transaksion apo vendim i dyshimtë, të hetohen deri në fund. Çdo dëm do të dokumentohet nga drejtësia, e cila do të përcaktojë edhe përgjegjësitë e secilit. Kam kaluar dekada duke ndërtuar kompani dhe duke krijuar vende pune. U kam besuar njerëzve dhe u kam dhënë përgjegjësi, por askujt të drejtën ta keqpërdorë këtë besim. Nuk kërkoj hakmarrje apo dënime pa prova. Kërkoj të vërtetën dhe drejtësi të barabartë për të gjithë. Do të përdorim çdo mjet ligjor për të mbrojtur interesat tona dhe nuk do të heqim dorë. Nga Hirano deri në Vlorë, çdo dyshim i mbështetur në prova duhet të zbardhet dhe shpresojmë që edhe organet e drejtësisë në Shqipëri do të funksionojnë sipas ligjit!”.
Kujtojmë se projekti kontrovers i Aeroportit të Vlorës është vendosur nën hetim nga SPAK. Përveç cënimit të mjedisit, projekti ka pikëpyetje të mëdha për shkak se studimi i fizibilitetit nuk ka dalë në konkluzionin se ky aeroport do të ketë apo jo fluturime, do të ketë apo jo një numër të mjaftueshëm udhëtarësh për të justifikuar kostot. Një aeroport tjetër, ai i Kukësit, u hap me sponsorizim të fortë politik nga kryeministri Edi Rama ndërsa aktualisht është pa punë pasi nuk ka mjaftueshëm njerëz për të fluturuar në të. Aeroporti i Vlorës është vetëm 100 kilometra larg aeroportit ekzistues të Tiranës.







