Ballina Sport Fenerbahçe e shkarkoi dhe i dha 8,4 milionë euro kompensim, Mourinho lë...

Fenerbahçe e shkarkoi dhe i dha 8,4 milionë euro kompensim, Mourinho lë pa paguar faturën marramendëse të hotelit

114
0

Jose Mourinho është përfshirë sërish në qendër të vëmendjes, këtë herë jo për rezultatet në fushë, por për një faturë të majme hoteli që dyshohet se ia ka lënë Fenerbahçes pas largimit të tij. Sipas mediave turke, trajneri portugez ka akumuluar një kosto prej 36.5 milionë lirash turke, rreth 750 mijë euro, për 16 muaj qëndrim në hotel kur drejtoi klubin nga Stambolli.

Mourinho u emërua trajner i Fenerbahçes në verën e vitit 2024, menjëherë pas shkarkimit nga Roma, dhe që nga dita e parë vendosi të mos marrë me qira një banesë, por të jetojë në hotelin luksoz “Four Seasons” buzë Bosforit. Hoteli, i ndërtuar brenda një ish–pallati osman të shekullit XIX, ofron spa, palestra moderne dhe pishina të brendshme e të jashtme, ndërsa sipas stafit, Mourinho kishte një rutinë të pandryshueshme ushqimi: supë pule, pica “Margherita”, akullore dhe ujë me gaz.

Megjithëse qëndrimi dukej fillimisht i përkohshëm, ai zgjati gjatë gjithë aventurës së tij në Turqi. Por rezultatet sportive nuk e justifikuan investimin: portugezi u shkarkua vetëm pas gjashtë ndeshjeve në sezonin 2025–26, pas një nisjeje të dobët që zhgënjeu drejtuesit dhe tifozët.

Tani, te Fenerbahçe nuk është e qartë kush do ta paguajë faturën gjigante të hotelit, klubi apo vetë Mourinho. Ironikisht, trajneri u largua me një paketë kompensimi prej rreth 8,4 milionë euro, çka e bën diskutimin edhe më të nxehtë.

Kjo nuk është hera e parë që Mourinho akumuluar fatura të tilla. Gjatë kohës te Manchester United, ai jetoi për 895 ditë në The Lowry Hotel, duke krijuar një tjetër faturë të famshme prej 537 mijë paundësh.