Ballina Sport Zidane drejt rikthimit si trajner, pritet të marrë drejtimin e Francës pas...

Zidane drejt rikthimit si trajner, pritet të marrë drejtimin e Francës pas Botërorit

291
0

Ish-trajneri i Realit të Madridit dhe legjenda e futbollit francez, Zinedine Zidane, pritet të rikthehet si trajner.

Skuadra e fundit që ai ka drejtuar është Reali i Madridit (2016-2021) ndërsa pas katër vitesh mungesë, Zidane duket se është gati për një sfidë të re.

Legjenda e Francës ka refuzuar disa oferta nga klube të ndryshme evropiane, duke lënë të kuptohet se pret të marrë trikolorët.

Sipas informacioneve të fundit, ai ka arritur një akord me drejtuesit e Federatës Franceze të Futbollit, të cilët pritet t’i besojnë projektin e ri pas largimit të Didier Deschamps.

53-vjeçari ka deklaruar më parë se dëshira e tij është të drejtojë Francën, pas një aventure tepër të suksesshme me madrilenët.

Pasi u tërhoq nga futbolli i luajtur, Zidane nisi karrierën si trajner te ekipi i të rinjve të Realit, për të marrë më pas skuadrën e parë në 2016.

Ai arriti të fitojë Champions League tre herë, La Liga dy herë, si dhe Superkupën e Evropës dhe Botërorin e Klubeve.

Në pak vite si trajner, Zidane tregoi se ka aftësi të mëdha, megjithëse sfida në krye të Francës do të jetë edhe më e vështirë.

Aktualisht nuk ka një konfirmim zyrtar nëse do të marrë drejtimin e “gjelave”, por fakti që ai rikthehet në aktivitet dhe ka shprehur dëshirën për Francën e bën këtë mundësi shumë të pranueshme.