Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e Naureda Llagamit për anulimin e procedurës së votimit në mbledhjen e Gjykatës së Lartë më 30 shtator për emërimin e Asim Vokshit si anëtar i Kushtetueses, si dhe shfuqizimin e vendimit të gjykatës Administrative për këtë çështje të marrë më 13 tetor.
Seanca për shqyrtimin e kërkesës u zhvillua ditën e djeshme ndërsa sot u shpall vendimi nga GJK.
Llagami mori 9 vota, pra 3/5 e numrit që i duhej për t’u shpallur fituese, por një u cilësua si e pavlefshme pasi kishte dy shenja. Automatikisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese u zgjodh Asim Vokshi pasi ishte renditur i pari në vlerësimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Llagami kërkoi në Gjykatën Kushtetuese edhe pezullimin e emërimit të Vokshit si anëtar i Kushtetueses, por u rrëzua.
Llagami në fillim iu drejtua Gjykatës Administrative por kërkesa iu rrëzua me pretendimin se është jashtë juridiksionit të saj. Kështu Kushtetuesja, sipas kërkesës së Llagamit, do të shprehet nëse çështja do të kthehet në Gjykatën Administrative, apo nëse është në juridiksionin e saj, të vendosë për pezullimin ose jo të procedurës së votimit nga Gjykata e Lartë për zgjedhjen e anëtarit të ri të Kushtetueses.
Pas polemikave të shkaktuara nga Llagami, Gjykata e Lartë reagoi duke thënë se procesi i votimit ishte zhvilluar sipas rregullave të përcaktuara. Ajo citonte nenin 12 pika 6 të Rregullores që “ndalon çdo shënim tjetër në fletën e votimit, përveç shenjës së përcaktuar”, si dhe nenin 13 pika “b” që përcakton pavlefshmërinë e votës, “kur në fletë janë bërë shënime në favor ose në disfavor të kandidatëve”.







