Ballina Politika Samiti i parë mes dy qeverive Itali – Shqipëri, Rama sot në...

Samiti i parë mes dy qeverive Itali – Shqipëri, Rama sot në Romë: I hapim rrugë 16 marrëveshjeve të reja

67
0

Mbledhja e parë mes qeverive të dy vendeve e cila do të drejtohet nga Kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni dhe Kryeministri Edi Rama është konfirmuar nga qeveria italiane përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare ku thuhet se Samiti i parë ndërqeveritar Itali-Shqipëri do të mbahet të enjten, më datë 13 nëntor, ora 11:30.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë një postim, ku shkruan se pritet hapja rrugë për 16 marrëveshje mes dy vendeve.

“MIRËMËNGJES dhe me krenarinë për një tjetër ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive, e cila zhvillohet në Romë për t’i hapur rrugë 16 marrëveshjeve të reja konkrete të bashkëpunimit në kuadër të partneritetit të ngushtë strategjik me fqinjin tonë të çmuar perëndimor, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Ditën e enjte, Kryeministri Rama do të takohet me Kryeministren e Italisë Giorgia Meloni dhe më pas së bashku me delegacionin e ministrave të kabinetit që e shoqëron, do të marrë pjesë në seancën plenare të mbledhjes ndërqeveritare.

Në agjendën e ditës së enjte është parashikuar edhe shkëmbimi i Marrëveshjeve Dypalëshe dhe Memorandumeve të Mirëkuptimit.

Në faqen zyrtare të qeverisë italiane u njoftua më herët se Samiti i parë ndërqeveritar Itali-Shqipëri që do të drejtohet nga Kryeministrja e Italisë, Georgia Meloni dhe Kryeministri Edi Rama do të mbahet të enjten, më datë 13 nëntor, ora 11:30.

Shqipëria dhe Italia kanë firmosur në vitin 2010 Deklaratën e Partneritetit Strategjik.