Ballina Aktualitet KKTU “shpërthen” me leje ndërtimi, dhjetëra kulla, resorte dhe projekte strategjike

KKTU “shpërthen” me leje ndërtimi, dhjetëra kulla, resorte dhe projekte strategjike

70
0

Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) ka zhvilluar katër mbledhje intensive përgjatë fundit të muajit mars dhe prillit 2026, duke shqyrtuar një valë të re lejesh zhvillimi dhe ndërtimi që prekin sektorët e turizmit, ndërtimit, energjisë, infrastrukturës publike dhe projekteve strategjike urbane në vend. Vetëm nga rendet e ditës së datave 30 mars, 17 prill, 24 prill dhe 29 prill rezultojnë qindra mijëra metra katrorë zhvillime të reja, me fokus të fortë në Tiranë, bregdetin jugor dhe zonat turistike.

Një nga mbledhjet më të rëndësishme ishte ajo e 30 marsit 2026, ku u shqyrtuan dhjetëra projekte me ndikim të madh ekonomik dhe urbanistik. Mes tyre spikat leja për “Uzina e prodhimit të municionit ushtarak dhe objektet ndihmëse të saj” në Babrru-Kodër, Kamëz, nga shoqëria “Kayo” sh.a., një projekt që sinjalizon rikthimin e investimeve në industrinë ushtarake. Në të njëjtën mbledhje u trajtuan edhe projekte strategjike energjetike të OST dhe OSSH, si rikonstruksioni i linjave 110 kV në Fier, linja 400 kV Shqipëri-Maqedoni e Veriut, si dhe projekte infrastrukturore në aeroportin e Rinasit.

Krahas energjisë dhe infrastrukturës, mbledhja e 30 marsit dominohej edhe nga projektet turistike dhe kullat shumëkatëshe. KKTU shqyrtoi leje për projekte si “Zvërnec Peninsula”, një kompleks multifunksional me marina, hoteleri dhe ndërtime deri në 8 kate në Zvërnec të Vlorës, “Wellnes Hotel Tirana Lake Forest” në Tiranë, si dhe një seri kullash dhe rezidencash në Shëngjin, Vlorë, Palasë dhe Tiranë. Në listë përfshiheshin gjithashtu “Surf & Turf Tower” në Lezhë, “Toscana Tower” në Shëngjin, “Bloom Residence” dhe “Terracota Pillars” në Tiranë.

Në të njëjtën mbledhje u trajtuan edhe projekte publike dhe kulturore, si rijetëzimi i Kalasë së Tepelenës dhe Kalasë së Rozafës, ndërtimi i godinës multifunksionale të Spitalit Rajonal të Korçës, infrastruktura arsimore e Liceut Franko-Shqiptar të Shkencave dhe Inovacionit në Korçë, si dhe rehabilitimi i Lumit Lana në Tiranë.

Mbledhja e 17 prillit solli një tjetër valë projektesh me intensitet të lartë ndërtimor, ku spikasin zhvillimet në Tiranë dhe në bregdet. Një nga projektet më të rëndësishme ishte “Aeroport City”, kompleks banimi, hotelerie dhe tregtie pranë aeroportit të Rinasit, që do të shtrihet në Bashkinë Krujë dhe Vorë.

Po ashtu, KKTU shqyrtoi ndryshime të tjera për kompleksin “Green Coast Resort 2” në Palasë, ndërsa dha leje për ndërtimin e “Grand Hayatt Palase”, një resort turistik me hotel, kazino dhe struktura deri në 8 kate nëntokë.

Në Tiranë vijoi vala e kullave shumëkatëshe. Në rendin e ditës u përfshinë projekte si një godinë 43 kate në rrugën “Prenkë Jakova”, “Triss Tower” me 30 kate, një tjetër kullë 45 kate nga “Roen Company”, si dhe komplekse të shumta rezidenciale në Farkë, Linzë dhe Rrugën e Arbrit.

Një tjetër projekt me ndikim urban ishte “Rivitalizimi i Pallatit të Lojërave me Dorë Asllan Rusi”, që parashikon një objekt multifunksional 21 kate në Tiranë, me pjesëmarrjen e Korporatës Shqiptare të Investimeve dhe partnerëve privatë.

Edhe mbledhja e 24 prillit kishte fokus të fortë tek turizmi dhe ndërtimi në zonat bregdetare. Në Vlorë u paraqit “Ground Zero Resort”, me struktura deri në 24 kate, ndërsa në Durrës dhe Gjirin e Lalzit u trajtuan projekte të reja hotelerie dhe rezidenciale.

Në Tiranë, një nga projektet më të mëdha të kësaj mbledhjeje ishte “Tirana Diamond Building”, një kompleks zyrash dhe shërbimesh me 23 kate mbi tokë dhe 8 kate nëntokë. Po ashtu, u shqyrtua edhe projekti “Lagje Vertikale”, si dhe një kompleks i madh rehabilitues dhe hotelerie pranë rrugës “Peti”.

Një projekt tjetër me peshë ishte ai për “Marina & Jahtet e Durrësit”, ku vijon faza e re e zhvillimeve me godina banimi dhe shërbimi në zonat e menaxhimit të projektit.

Ndërkohë, në mbledhjen e 29 prillit, KKTU trajtoi një tjetër listë të gjatë projektesh, ku spikatën investimet turistike në Himarë, Sarandë, Radhimë, Ksamil dhe Qerret, por edhe një valë e re kullash në Tiranë.

Në këtë mbledhje u trajtuan projekte si “Victoria City” në Shkozë, “Naya” nga “Kontakt” sh.p.k., “Kulla e Bardhë” me 24 kate në Rrugën e Kavajës, si dhe një objekt 27 kate nga “Eisa” sh.p.k. në Tiranë.

Po ashtu, KKTU shqyrtoi leje për “Hotel Iberostar Resort” me 5 yje në Jalë, “City of Parks” në Kodër-Kamëz me 16 zona menaxhimi, si dhe një sërë resortesh dhe hotelesh në Himarë, Sarandë dhe Vlorë.

Në total, katër mbledhjet e KKTU-së gjatë mars-prillit 2026 tregojnë një intensifikim të ndjeshëm të zhvillimeve ndërtimore dhe turistike në vend, me fokus të fortë tek resortet bregdetare, kullat shumëkatëshe në Tiranë dhe projektet strategjike infrastrukturore. /ekofin.al