Janë zbardhur detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë të rrëmbimit dhe dhunimit të një 27-vjeçari në Tiranë, rast për të cilin policia ka vënë në pranga dy vajza të reja dhe dy djem.
Sipas informacioneve dy vajzat kishin rolin kryesor në planifikimin e rrëmbimit, që dyshohet të jetë organizuar për motive përfitimi financiar.
Burime pranë hetimeve bëjnë me dije se Suada Cenoaliaj, 21 vjeç, ishte personi kryesor që ka ideuar pengmarrjen së bashku me të dashurin e saj të ri, Lusian Kimza, i cili është arrestuar disa ditë më parë. Viktima, 27 vjeç, punonte si menaxher në një restorant në Tiranë dhe ishte më parë në një lidhje me Suadën.
Pas ndarjes, vajza ka komunikuar sërish me ish-partnerin dhe njëkohësisht ka përfshirë në plan të dashurin e ri, duke i kërkuar që ta “ndëshkonin” 27-vjeçarin.
Kur tentativa e parë për t’u takuar dështoi, në skenë u përfshi shoqja e saj, Monika Marku, e cila për disa ditë ka biseduar me viktimën në rrjete sociale dhe më pas ka lënë një takim me të, duke e ftuar për një kafe pranë zonës së Liqenit Artificial.
Sipas dëshmisë së 27-vjeçarit, pas takimit, Monika e ka ftuar në një apartament me qira, ku më pas ndodhi rrëmbimi. “Sapo hyra në banesë, nga tualeti dolën dy djem, mes tyre Lusian Kimza. Më goditën me shkopinj bejsbolli dhe më kërkuan 5 mijë euro,” ka treguar ai para hetuesve.
Viktima ka arritur të lirohet për disa minuta, ka shkuar në banesë për të marrë paratë dhe më pas ua ka dorëzuar rrëmbyesve. Pas ngjarjes, i riu është drejtuar në spital, ku ka marrë ndihmë mjekësore dhe ka informuar policinë për gjithçka kishte ndodhur, duke dhënë emrat dhe detajet e personave të përfshirë.
Sipas burimeve, autorët i kanë kërkuar më vonë edhe një shumë tjetër prej 5 mijë eurosh, moment kur policia ka organizuar një operacion të infiltruar, duke ndjekur hap pas hapi takimin për dorëzimin e parave. Gjatë këtij operacioni u arrestuan dy djemtë dhe më pas dy vajzat që kishin bashkëpunuar në rrëmbim.







