Ballina Rajoni Trupi i tij u gjet i karbonizuar brenda mjetit të djegur, nëna...

Trupi i tij u gjet i karbonizuar brenda mjetit të djegur, nëna e 27-vjeçarit nuk përballon dot dhimbjen për vrasjen makabre të të birit, vdes nga arresti kardiak

91
0

Një tjetër tragjedi ka prekur familjen e 27-vjeçarit shqiptar Sulo Halili, trupi i të cilit u gjet i karbonizuar brenda një makine në Skourta, Beoti, më 8 nëntor.

Nëna e viktimës, vrasja makabre e të cilit është e mbushur me mister, sipas mediave greke, ka ndërruar jetë ditën e djeshme (12 nëntor) pas një arresti kardiak për shkak se nuk ka përballuar dot dhimbjen e humbjes së djalit të saj.

Në të njëjtën kohë, detaje tronditëse po dalin në dritë rreth vrasjes së tmerrshme të të riut, i cili ishte punëtor ndërtimi në Halkida dhe babai i dy fëmijëve të mitur, një prej tyre 1 muajsh.

Sipas informacioneve paraprake, i riu dyshohet se është “joshur” për të takuar në Vilia  një grua që e kishte njohur përmes një aplikacioni takimesh.

Megjithatë, në vend të një takimi me vajzën që kishte njohur, duket se atij i ishte ngritur një kurth i organizuar mirë.

Autorët, sipas informacioneve të deritanishme, e mbajtën rob për rreth 24 orë, gjatë të cilave e torturuan dhe më pas e qëlluan me armë.

Më pas e transportuan trupin e tij në Skourta dhe i vunë flakën brenda një automjeti për të zhdukur gjurmët e krimit.

Automjeti në të cilin u gjet trupi ishte raportuar i vjedhur në maj në Glyfada dhe kishte targa të një makinë tjetër në Pieria.

Ky detaj, sipas policisë, tregon se pas krimit mund të fshihet një rrjet i krimit të organizuar me një metodologji “profesionale”.

Zyrtarët e hetimit të vrasjeve besojnë se është e mundur që 27-vjeçari të jetë vrarë në një vend tjetër dhe më pas të jetë transportuar në zonën e shkretë ku u gjet automjeti i djegur.

Telefoni celular është “çelësi” i çështjes

Autoritetet policore po vazhdojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të çështjes.

Në qendër të hetimit është telefoni celular i viktimës, i cili ende nuk është gjetur dhe besohet se përmban informacione thelbësore në lidhje me personat që i kanë bërë kurth dhe e kanë çuar drejt takimit fatal.

Autoritetet policore thonë se hetimi është vetëm çështje kohe, pasi provat do të çojnë tek individët që organizuan dhe kryen vrasjen.