Fermerët e mandarinave në Konispol përballen me një krizë të paprecedentë këtë sezon. Për shkak të nivelit të lartë të pesticideve, eksporti drejt Bashkimit Europian është bllokuar, duke bërë që mandarina e Konispolit të mbetet në pemë pa u vjelur.
Bashkia jugore është prodhuesja dhe eksportuesja më e madhe e mandarinës në vend, me 60,000 tonë produkt që shkon zakonisht në Zvicër, Kroaci, Poloni dhe vende të tjera të BE-së.
Por këtë vit, tregu i jashtëm është i ngrirë, klientët e huaj nuk afrohen, ndërsa fermerët e Xarrës dhe Mursisë nuk mund të vjelin mandarinat në kulmin e prodhimit të tyre.
Banoret shprehen se këtë vit tregu është zero për shkak të propagandës që thotë se mandarina e Konispolit është me pesticide.
“Kam të gjitha analizat të bëra në laborator të çertifikuar në Itali, por tregu është zero për shkak të propagandës që thotë se mandarina e Konispolit është me pesticide. Të gjitha parametrat janë në rregull dhe mandarina është super për Shqipërinë, Kosovën dhe Europën. Kam emergjente një parcelë, mandarinat duhet të hiqen nga dega sepse po tejpjeken dhe janë të gjitha shumë cilësore.”-shprehet nje banor







