Ballina Opinion Doktor Berisha dhe Krijesa: Frenkeshtajni që nuk mund të vdesë, e as...

Doktor Berisha dhe Krijesa: Frenkeshtajni që nuk mund të vdesë, e as të jetojë!

84
0

Nga Sidi Hasanaj 

Të dielën në mbrëmje, ndërsa numëroheshin kutitë e votimit në pesë bashki të vendit, në Netflix shfaqej “Frankenstein” i Guillermo del Toro. Në laboratorin e tij, doktori që kërkon të ngjallë të vdekurit sheh se si refuzimi i cikleve normale të jetës, kthehet në përbindësh. Dhe pas çdo dialogu mes përbindëshit dhe doktor Frenkestrinit, më krijohej brenda vetes një metaforë në mënyrë të frikshme, Shqipëria kishte versionin e vet të kësaj skene: Sali Berishën dhe Partinë Demokratike të Rithemeluar.

Ashtu si doktori i çmendur i filmit, Doktor Berisha ka marrë copa nga kufomat politike të së shkuarës, fragmente ideologjish, emra të harruar, sllogane të konsumuara dhe ka ngjitur prej tyre një trup që lëviz, por nuk jeton.
Një trup që nuk frymon, por as nuk vdes.
Sepse ajo që e mban gjallë nuk është më shpresa, por frika e shuarjes.

Berisha nuk është më politikan; është një njeri që refuzon vdekjen politike.
Ai rithemelon, ngjall të vdekurit, shpik forma të reja të së njëjtës gjë, por pa frymë, pa kuptim.

Në përpjekjen për ta mbajtur gjallë veten, ai ka krijuar një organizëm që ekziston vetëm për të mos pushuar së ekzistuari: Një “Frankenstein” politik që endet pa shpirt, në errësirën e një epoke të mbyllur, Partia Demokratike e Rithemeluar!

Në filozofinë ekzistencialiste, kjo quhet absurditet: Kur jeta vazhdon pa arsye për të jetuar.

PD e Rithemeluar është e hedhur në ekzistencë, por nuk e ka zgjedhur atë; është e dënuar të veprojë në një realitet votuesish që nuk e beson më. Si tek Sartre, ekziston, por pa vetëdije për ekzistencën e saj.

Në këtë marrëdhënie të sëmurë, Berisha është krijuesi që ka frikë nga vdekja politike, dhe PD-ja është krijesa që ka frikë nga drita, nga jeta pa doktorin e sëmurë!

Në versionin e del Toro-s, krijesa i thotë mjeshtrit të vet:

“Ti nuk më dhe jetë… por nuk më le as të vdes.”

Kjo është fjalia që më goditi dhe nxiti të bëj këtë shkrim, sepse sot këtë fjali mund t’ia thotë vetë PD-ja Berishës. Berisha as nuk e vrau PD-në, por as nuk e la të jetojë!

Rezultatet e së dielës vetëm e vulosin këtë metaforë:
Në Vlorë, PD mori rreth 11% të votave, me pjesëmarrje 12.55% … që do të thotë 1 në 70 votues vlonjatë e zgjodhi përbindëshin e Doktorit me figura nga kufomat e të kaluarës.

Në Berat, vetëm 17% më pak se në vitin 1998;
në Cërrik, humbje e thellë sërish.

Trupi ecën ende, por pa gjak, pa shpirt, pa shpresë.

Në një parti ku liria politike është zëvendësuar me ritin e mbijetesës, Frankensteini i Berishës mbetet si një simbol i absurdit shqiptar:

Një krijesë që endet mes jetës dhe vdekjes, duke kërkuar kuptim në botën e tij, ku kuptimi ka vdekur prej kohësh.

Kuptimi i vetëm është frika nga shuarja, frika nga ndëshkimi i Familjes Berisha, frika nga përballja me drejtësinë, tmerri se mos terri i harresës politike e mbulon… dhe është një parti që egziston jo për të jetuar, (Fituar) por për të mos vdekur!