Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për vazhdimin e masës së sigurimit “arrest në burg” ndaj Ilir Metës.
Gjykata shqyrtoi ankimin e paraqitur nga Meta, i cili kërkonte shuarjen e masës së sigurimit të vendosur më herët ndaj tij.
Pas vlerësimit të argumenteve të palëve, Apeli i Posaçëm vendosi miratimin e vendimit të dhënë nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke lënë kështu në fuqi masën e “arrestit në burg”.
Njoftimi:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më 14.11.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 256 akti, datë 04.11.2025 regjistrimi, mbi ankimin e të pandehurit I.M., me objekt: “Ankim kundër vendimit Nr. 672, datë 22.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: Shuarjen e masës së sigurimit personal të “arrestit në burg” për të pandehurin I.M.” dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 672, datë 22.10.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin e Krimin e Organizuar.
U shpall në Tiranë, me datë 14.11.2025.







