Enver Hoxhaj ka bërë me dije sot më 14 nëntor se mund të hyjë në garë për postin e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, por vetëm nëse data e Konventës do të zgjatet.
Ai deklaroi në intervistën e dhënë për Klan Kosova se largimin e Memli Krasniqit nga drejtimi i partisë e ka mësuar përmes mediave.
PDK-ja tashmë ka nisur përgatitjet për zgjedhjen e udhëheqësit të ri, pas dorëheqjes së papritur të Krasniqit. Ndërkohë, Bedri Hamza ka shpallur më herët ambicien e tij për të marrë drejtimin e partisë, duke synuar ta kthejë atë në “forcën kryesore politike të vendit”.
Të mërkurën, Memli Krasniqi, që mbante detyrën e kryetarit, dha dorëheqje në mënyrë të befasishme dhe caktoi Konventën për 17 nëntor, duke theksuar se partia ka nevojë për një energji të re dhe një kapitull të ri për “familjen demokratike”.
Vetëm një ditë pas kësaj, Bedri Hamza, kandidat i PDK-së për kryeministër në zgjedhjet e këtij viti, konfirmoi se do të hyjë në garë për të marrë drejtimin e partisë, me premtimin për ta rikthyer PDK-në në pozicionin e saj kryesor në skenën politike të Kosovës.







