Ballina Bota Shpallet fajtor për korrupsion ish-presidenti i Ekuadorit/ Prokuroria kërkon 6.6 vite burg...

Shpallet fajtor për korrupsion ish-presidenti i Ekuadorit/ Prokuroria kërkon 6.6 vite burg për Lenin Moreno

49
0

Ish-presidenti i Ekuadorit, Lenin Moreno, është shpallur fajtor nga një gjykatë në vend për marrje ryshfeti në lidhje me një kontratë publike për ndërtimin e një hidrocentrali. Prokuroria kërkon që Moreno të dënohet me 6 vjet e 6 muaj burg, ndërsa gjykata ende nuk ka përcaktuar masën e dënimit.

Çështja lidhet me kompaninë kineze Sinohydro dhe kontratën për ndërtimin e hidrocentralit Coca Codo Sinclair, një prej projekteve më të mëdha energjetike në Ekuador.

Prokuroria bëri të ditur se në këtë çështje janë shpallur fajtorë katër persona, mes tyre edhe Moreno. Veprat penale dyshohet se janë kryer gjatë periudhës 2007–2013, kur Moreno ishte zëvendëspresident i Rafael Correas.

Sipas akuzës, Moreno ishte pjesë e një rrjeti korrupsioni që funksionoi nga viti 2009 deri në vitin 2018 dhe që lidhej me përfitimin e kontratave publike.

Kompania kineze Sinohydro akuzohet se ka paguar rreth 76 milionë dollarë ryshfete për të siguruar kontrata në Ekuador.

Moreno, 73 vjeç, i cili lëviz me karrige me rrota, i ka mohuar vazhdimisht akuzat. Pas vendimit të gjykatës, ai përsëriti se nuk kishte marrë para nga kompania kineze.

“Asnjë qindarkë nga Sinohydro”, është shprehur ish-presidenti, duke e cilësuar çështjen si pjesë të një persekutimi politik të lidhur me ish-presidentin Rafael Correa.

Hetimi përfshin rreth 20 persona të tjerë, mes tyre bashkëshorten dhe vajzën e Morenos, drejtues biznesesh dhe një ish-ambasador kinez në Quito.

Tashmë, pas shpalljes së fajësisë, pritet vendimi përfundimtar i gjykatës për dënimin e ish-presidentit.