Ballina Aktualitet “Duam të mbetet qyteti i naftëtarëve”/ Patosi kundër shkrirjes së bashkisë, banorët...

“Duam të mbetet qyteti i naftëtarëve”/ Patosi kundër shkrirjes së bashkisë, banorët në protestë: Na prekin identitetin

34
0

Dhjetëra banorë të Patosit janë ngritur sërish në protestë kundër projektit të reformës së re administrative dhe propozimit për shkrirjen e Bashkisë Patos me Bashkinë Fier.

Me pankarta në duar, banorët kanë kërkuar mobilizim më të gjerë për mbrojtjen e asaj që e cilësojnë si “kauzë identiteti”.

Protestuesit kundërshtojnë propozimin e Partisë Socialiste për bashkimin e Patosit me Fierin dhe kërkojnë që qyteti të ruajë bashkinë e tij.

Sipas banorëve, Patosi ka krijuar ndër vite një identitet të lidhur ngushtë me industrinë e naftës dhe njihet si “qyteti i naftëtarëve”.

Për ta, historia e qytetit është e lidhur drejtpërdrejt me punën dhe sakrificat e njerëzve që kanë punuar në industrinë e naftës.

Ata sollën në vëmendje edhe naftëtarët që, sipas tyre, kanë humbur jetën gjatë punës në këtë industri. Protestuesit kërkuan që në qendër të qytetit të vendoset edhe një bust në nderim të naftëtarëve, si simbol i historisë së Patosit.

“Rreth 200 naftëtarë kanë dhënë jetën në industrinë e naftës”, u shprehën banorët, duke e lidhur këtë histori me identitetin e qytetit.

Një tjetër argument i tyre lidhet me funksionimin e Bashkisë Patos.

Banorët e konsiderojnë performancën e saj ndër më të mirat në vend dhe kundërshtojnë idenë se bashkimi me Fierin do të ishte në interes të komunitetit.

Protesta e sotme vjen pas disa tubimeve të mëparshme kundër reformës administrative. Banorët kanë kërkuar që të jenë pjesë e një procesi më të gjerë konsultimi përpara se të merret një vendim për të ardhmen administrative të Patosit.

Në të njëjtën kohë, ata kanë paralajmëruar se protestat mund të përshkallëzohen nëse kërkesat e tyre nuk merren në konsideratë.

Banorët kërkojnë që çdo ndryshim territorial të mos bëhet pa dëgjuar komunitetin dhe pa marrë në konsideratë historinë, identitetin dhe veçoritë e Patosit.