Emiliano Martinez, që është ikonë në portën e Argjentinës, i është përgjigjur deklaratës së Xhenaro Gatuzos.
Trajneri i Italisë shprehu më parë pakënaqësitë, për mënyrën si ndahen vendet e Botërorit për Europën dhe Amerikën e Jugut. “Axurrët” duhet të luajnë mundësitë e tyre në “play off” dhe e nisin nga faza gjysmëfinale.
“Janë 10 ekipe në grupin e Amerikës së Jugut, gjashtë avancojnë dhe ekipi i shtatë luan një ndeshje eliminatore kundër ekipit të Oqeanit. Ky është zhgënjimi. Patjetër që duhet t’i rimendojmë gjërat”, u shpreh Gatuzo pas fitores ndaj Moldavisë.
Kjo deklaratë gjeti menjëherë përgjigjen e Emiliano Martinez. “Ata gjithmonë luajnë në fusha perfekte dhe të lagura. Nuk e dinë se si është Amerika e Jugut. Ka vështirësi të tjera që nuk i shohin në Europë”, u shpreh Martinez.







