Shorti i Champions League për sezonin 2026-27, i hedhur këtë të enjte në Monaco, ka rezervuar përballje spektakolare që pritet të ndezin fazën e ligës së kompeticionit.
Ceremonia nisi me himnin e Champions League, ndërsa UEFA ndau edhe disa prej çmimeve të veçanta përpara se të hidhej shorti. Ish-futbollistët Thierry Henry dhe David Villa patën rolin e tyre në përcaktimin e përballjeve.
Një prej dueleve më të forta do të jetë ai mes kampionëve në fuqi të PSG-së dhe Barcelonës. Francezët do të presin katalanasit në shtëpi, ndërsa do të kenë edhe dy transferta të vështira në Angli, ndaj Manchester Cityt dhe Aston Villas.
Edhe Barcelona ka një tjetër përballje të madhe në shtëpi, teksa do të presë Manchester Cityn. Supersfida ka edhe për Real Madridin. “Galaktikët” do të presin Interin në shtëpi, ndërsa do të udhëtojnë drejt Londrës për t’u përballur me Arsenalin.
Arsenali, nga ana tjetër, do të luajë në transfertë ndaj Bayern Munich, ndërsa në shtëpi do të presë Borussia Dortmundin. Bayern Munich do të ketë gjithashtu duele të rëndësishme ndaj Atletico Madridit, si dhe një transfertë ndaj Manchester United.
Interi do të përballet në shtëpi me Liverpoolin, ndërsa në transfertë do të ketë dy sfida të vështira ndaj Real Madridit dhe Borussia Dortmundit.
Tetë skuadrat e para në renditje do të kualifikohen direkt në 1/8-at, ndërsa ekipet nga vendi i 9 deri në të 24-tin do të luajnë në play-off për një vend në fazën me eliminim direkt. Skuadrat nga vendi i 25-të e deri në të 36-in eliminohen nga gara.
Faza e ligës së Champions League 2026-27 do të nisë më 8 shtator 2026, ndërsa kompeticioni do të kulmojë me finalen e madhe, e cila do të zhvillohet më 5 qershor 2027 në stadiumin ‘Metropolitano’ në Madrid.







