Ballina Aktualitet Kulla 35 kate te ish-Garda nis të shitet “në gropë” me 4,500...

Kulla 35 kate te ish-Garda nis të shitet “në gropë” me 4,500 euro/m2

122
0

Tirana po përjeton një bum të paprecedent kullash, me dhjetëra ndërtime që ngrihen në çdo cep të kryeqytetit dhe projekte të tjera që pritet të nisin në muajt në vijim. Pas kullave në qendër, tek “Rruga e Kavajës”, “Ish-Blloku”, apo “Stadiumi Kombëtar”, një tjetër projekt gjigant po fiton vëmendje, një kullë 35-katëshe në territorin e ish-Gardës së Republikës, pranë Parkut të Liqenit Artificial.

Edhe pse ndërtimi ende nuk ka nisur realisht, agjencitë imobiliare kanë filluar reklamimin e shitjeve që në fazën e gropës, me çmime që variojnë nga 4,300-4,500 euro për metër katror. Ky zhvillim i ri, i quajtur Platinum Tower, pritet t’i bashkohet ndërtesave të tjera të larta të Tiranës, duke shtuar edhe më tej profilin vertikal të qytetit.

Po si ndryshoi projekti për kullën?

Fillimisht KKT në vitin 2020 miratoi leje ndërtimi për godinë me funksion hotel “Nova Hotel Five Star”, zyra dhe shërbime 5-13, 5-14, 13 dhe 14 kate mbi tokë, me 3 kate nën tokë, më ndërtues “Ferro Beton & Construction co”. Sipas lejes së ndërtimit godina do të ndërtohej mbi një truall 1470 m2.

Por në vitin 2024, projekti ndryshoi nga 14 kate në 35 kate.

Sipas dokumenteve, Këshillit Kombëtar i Territorit, në datën 24 dhjetor 2024 ka vendosur “për miratimin e lejes së ndërtimit për objektin godinë me funksion hotel ‘Nova Hotel Five Star”, zyra, shërbime dhe banim 35 kate mbi tokë dhe 6 kate nëntokë me vendndodhje në Bashkinë Tiranë”.

Sipas përshkrimeve zyrtare, Platinum Tower do të ngrihet 128 metra në lartësi dhe do të përmbajë 35 kate hapësirash moderne banimi. E pozicionuar në një nga zonat më të kërkuara të kryeqytetit, pranë Liqenit Artificial, ajo do të ketë pamje panoramike mbi qytet dhe hapësirat e gjelbra përreth.

Fasada e saj do të dominohet nga xhami reflektues dhe linja vertikale metalike. Brenda, kulla parashikon një gamë apartamentesh që variojnë nga 1+1 deri te 2+1+2, me theks në komoditet, dritë natyrale dhe standarde të larta ndërtimi. Projekti parashikon gjithashtu siguri 24-orëshe, menaxhim profesional, hapësira rekreative dhe ambient tregtar në katet e poshtme.

Megjithatë, fakti që shitjet kanë nisur ende pa u hedhur themelet, tregon se tregu imobiliar në Tiranë mbetet jashtëzakonisht aktiv, me kërkesë të lartë për prona luksoze edhe në fazat më të hershme të ndërtimit. /ekofin.al