Ballina Aktualitet Zbardhen intrigat/ Aeroporti i Vlorës pa administrator, Pacolli tentoi të “asgjësojë” Valon...

Zbardhen intrigat/ Aeroporti i Vlorës pa administrator, Pacolli tentoi të “asgjësojë” Valon Ademin?

113
0

Aeroporti i Vlorës ka përfunduar në një situatë tragjikomike. Aktualisht kompania koncesionare Vlora International Airport funksionon pa administrator dhe pa një prej drejtuesve teknik, ndërkohë që punimet për ndërtimin e aeroportit vazhdojnë, ku secili nga aksionerët punon i ndarë nga tjetri.

Në fillim të muajit të kaluar, Mentor Hajdaraj, administratori ka dhënë dorëheqjen. Ndërkohë Naser Gjuka, një prej drejtuesve teknik të kompanisë u shkarkuar nga Pacolli. Të dy këta ishin emëruar po nga vetë Pacolli, madje administratori Hajdaraj i emëruar vetëm një muaj më parë, pas largimit të Valon Llukës.

Pas këyre dorëheqjeve, Mabco S.A, ortaku që në letra zotëron 98 për qind të aksioneve të shoqërisë koncesionare Vlora International Airport thirri me urgjencë mbledhjen e Ansamblesë së Përgjithshme të VIA-s.

Sipas dokumentave, mbledhja kishte një rend me 7 pika, ku më të rëndësishmet ishin zëvendësimi i dy drejtuesve të dorëhequr, miratimi i një statuti të ri për shoqërinë, emërimi i auditorëve statutorë si dhe kryerja e një hetimi të posaçëm mbi veprimtarinë teknike dhe atë financiare të shoqërisë.

Zbardhen intrigat/ Aeroporti i Vlorës pa administrator, Pacolli tentoi

Rendi i dites i mbledhjes se thirrur nga Mabco

Mbledhja e thirrur nga Emin Pacolli u njoftua në datën 11 tetor dhe ishte përcaktuar të mbahej në 20 tetor. Por në 17 tetor, vetëm tre ditë para mbledhjes, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vendosi masën e sigurisë duke pezulluar marrjen e cdo vendimi në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve të shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., të njoftuar për t’u mbajtur më datën 20.10.2025.

Rrjedhimisht mbledhja e ansamblesë u bllokua dhe Pacolli nuk arriti dot as të emërojë administratorin e ri të kompanisë, Abdurraman Gashi dhe as të zëvendësojë drejtuesin teknik Naser Gjuka me Sazan Gurishovën.

Pacolli tentoi të asgjësojë Ademin?

Ndryshimi i statusit të kompanisë dhe caktimi i auditorëve statutorë janë dy vendime shumë të rëndësishme në një shoqëri, kur ortakët e saj kanë mosmarrëveshje. Nëse kësaj i shtohet edhe fakti që Mabco kishte vendosur në rend dite pikën e hetimit të posaçëm financiar, kjo plotësonte të gjithë ingredientët për ndryshim potencial të aksioneve të shoqërisë koncesionare.

Me pak fjalë marrjen e aksioneve të ortakut të minorancës kundrejt një cmimi të caktuar nga auditorët. Ky është rreziku që me sa duket ka ndierë Valon Ademi, i cili nxitoi me vrap të kërkonte masën e sigurimit në gjykatë për bllokimin e mbledhjes së ansamblesë dhe çdo vendimarrje të njëanshme nga Pacollët.

Konflikti mes Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit tashmë ka përfunduar në prokurori, ku Ademi ka kallëzuar Pacollin për mashtrim, ndërsa Pacolli ka kallëzuar ish administratorin Lluka dhe një notere në Tiranë.

Deri më tani ajo që dihet është se Valon Ademi pretendon se ka investuar 23 milionë euro nga paratë e tij në ndërtimin e Aeroportit, por ndërkohë zotëron vetëm 2 për qind të aksioneve. Ndërsa Pacolli pretendon një komplot ndaj tij, ku janë përfshirë dhe njerëzit të cilët i ka emëruar vet ose i ka patur punonjës të tij prej vitesh./Kapitali