Gjatë operacionit të gjerë policor “Joint Action Day (JAD) Mobile 8)”, i zhvilluar në 26 vende europiane nën koordinimin e Europol, Greqia rezultoi vendi me numrin më të lartë të automjeteve të vjedhura të identifikuara.
Nga gjithsej 462 automjete të vjedhura ose të falsifikuara të zbuluara në nivel europian, 231 u sekuestruan në territorin grek.
Sipas njoftimit zyrtar, krahasuar me një vit më parë janë identifikuar 232 mjete më shumë, duke treguar rritje të dukshme të aktivitetit të rrjeteve kriminale. Autoritetet greke kontrolluan 6.548 automjete, ku përveç mjeteve të sekuestruara, u arrestuan edhe 84 emigrantë të parregullt dhe 21 trafikantë, ndërsa u sekuestruan 199.56 gramë lëndë narkotike.
Operacioni u zhvillua nga 20 deri më 31 tetor 2025, në kuadër të prioriteteve europiane “Empact”, me pjesëmarrjen e strukturave të specializuara greke për luftën kundër krimit të organizuar. Kontrollet u kryen si në pikat kufitare të jashtme të vendit, ashtu edhe brenda territorit, përfshirë Atikën, Selanikun, Kilkísin, Fthiotidën, Thrakën, Sërresin dhe pikat kufitare Mertzani, Krystallopigi dhe Kakavia.
Fushata u koordinua nga Frontex, në bashkëpunim me autoritetet policore të Greqisë, Gjermanisë, Spanjës dhe Polonisë. Në operacion morën pjesë vendet e BE-së: Austria, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Franca, Gjermania, Holanda, Italia, Letonia, Lituania, Polonia, Portugalia, Rumania, Spanja dhe Suedia.
Pjesë e operacionit ishin edhe disa vende të treta, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Moldavinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Zvicrën, si dhe agjencitë Europol dhe Interpol.
Operacioni synon identifikimin e automjeteve të vjedhura, të falsifikuara ose të modifikuara, të përdorura shpesh nga rrjete kriminale për trafikim, kontrabandë apo aktivitete të tjera ilegale. Ky aksion konfirmon rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar në hapësirën europiane.







