Ballina Opinion Mjerimi i suksesit të Belindës!

Mjerimi i suksesit të Belindës!

67
0

Nga Irena Beqiraj

Teksa dëgjova disa sekuenca nga recitimi i Zv/Kryeministres në Kuvend, dallova tragjedinë e veçantë edhe të padukshme që përjetohet vetëm në zyrat e pushtetit dhe në ekranet ndriçuese: Tragjedinë e një njeriu të suksesshëm por të mjerë!

Belinda që mori gjithçka të cilën ëndërronte- punën e ëndrrave, pozicionin, përfitimet, duartrokitjet- dukej si një guaskë e zbrazët që endej nëpër sukseset që ishin perfekte, vetëm në recitimin e saj.
Gruas që buzëqesh nëpër foto, shtrëngon duart nëpër konferenca, që i këndohet nëpër inagurime, suksesin nuk ja “kishin falur” dhe fitoret, i ishin bërë të rënda.

Brezi im u rrit midis dy epokash. Diku gjatë rrugës, disa nga ne gabimisht mësuan të barazonin produktivitetin me qëllimin dhe dukshmërinë, me vlerën. Nxituan drejt arritjeve të rëndësishme sepse të gjithë të tjerët po vraponin, duke supozuar se vija e finishit do të sillte dhe përbushjen. Të fiksuar pas idesë, “çfarë vjen më pas”, ata rrallë pyetën, “çfarë ka rëndësi?”. Ndërtuan CV-të, jo jetën; synuan lartësinë duke humbur themelet; grumbulluan kredenciale, por harruan të kultivojnë kujdesin.
Të shkujdesur, të dehur në adrenalinën e pushtetit, të tërhequr zvarrë nga ambicia që u kërkonte gjithmonë më shumë, pa e vënë re ranë në kurthin e suksesit ku ngritja në detyrë, lëvdatat, paratë, duartrokitjet, vijnë duke humbur sovranitetin, lirinë, paqen, dhe me mjaftueshëm skelete të grumbulluara në dollap.

Suksesi në pushtet është i zhurmshëm, matet, krahasohet dhe gjykohet, por jam e sigurt që suksesi i Belindës, (apo i kujdo tjetër në qeveri), nuk shqetëson edhe nuk zileps askënd, as në atë sallë edhe as jashtë saj.

Sepse suksesi i vërtetë nuk është një vijë finish-i; suksesi është një pasqyrë. Ai reflekton atë që je bërë gjatë rrugës dhe për Zv/Kryeministren, me çështjet e hapura në SPAK, ky reflektim është i pakëndshëm.

Jeta është e tillë. Një ditë, duartrokitjet zbehen, titujt bihen dhe momentet historike turbullohen në kujtesë.
Ndaj suksesi i vertetë, ai që zileps edhe vështirë se falet, nuk u përket atyre që janë shumë të njohur, por atyre që janë të denjë për t’u njohur.