Ballina Kosovë Brukseli i zhgënjyer me partitë: Nuk përfituan 882 milionë euro

Brukseli i zhgënjyer me partitë: Nuk përfituan 882 milionë euro

78
0

Bashkimi Evropian shpreh keqardhje që partitë politike në Kosovë nuk arritën të kapërcenin ngërçin e zgjatur politik pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025.

BE thekson se Kosova duhet të ketë kapacitetet e nevojshme për të vepruar si shtet funksional. Në këtë kuadër, zyrtarët në Bruksel presin që Kosova të rikthehet në rrugën e duhur të reformave jetike të lidhura me procesin e integrimit evropian, për të mirën e qytetarëve të saj dhe për avancimin në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Nga BE nënvizohet gatishmëria për të punuar me institucionet e Kosovës dhe për të vazhduar mbështetjen e vendit në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian.

Njëkohësisht, Brukseli shpreh keqardhje që nuk janë krijuar kushtet që Kosova të përfitojë nga mjetet financiare të Planit të Rritjes.

“Është për të ardhur keq që partitë politike nuk kanë qenë në gjendje deri më tani të bien dakord për çështjet kyçe, përfshirë ratifikimin e Planit të Reformës dhe Rritjes”, ka deklaruar një zëdhënës i Komisionit Evropian.

Sipas tij, javën e kaluar Kosova dhe Komisioni Evropian kanë nënshkruar marrëveshjen për huan, por e njëjta duhet të hyjë në fuqi për të prodhuar efekt.

Konfirmohet se Kosova mbetet e kualifikuar për të marrë deri në 882 milionë euro në financim sipas Planit të Rritjes, mirëpo në varësi të hyrjes në fuqi të marrëveshjeve që lidhen me Instrumentin e Reformës dhe Rritjes, si dhe të gjitha kushteve të tjera për pagesë.

“Për shkak të vonesave në formimin e institucioneve, marrëveshjet që lidhen me Instrumentin e Reformës dhe Rritjes ende nuk kanë hyrë në fuqi. Pa ratifikimin e tyre, Kosova nuk mund të paraqesë kërkesë për pagesë nga ky instrument. Instrumenti i Reformës dhe Rritjes është me afat të kufizuar kohor, i miratuar për periudhën 2024–2027, dhe është në interes të Kosovës që ratifikimi të bëhet sa më shpejt për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë e Planit të Rritjes, në dobi të qytetarëve të saj”, theksojnë zyrtarët e BE-së.