Ballina Kosovë Kosovë/ Hamza reagon pas caktimit të datës së zgjedhjeve: PDK është gati...

Kosovë/ Hamza reagon pas caktimit të datës së zgjedhjeve: PDK është gati për fitore

32
0

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka reaguar pas vendimit të presidentes për caktimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 28 dhjetor. Hamza tha se, edhe pse PDK kishte propozuar datën 21 dhjetor si më të përshtatshme, vendimi është marrë dhe tani “është koha të shikohet përpara”.

Në reagimin e tij, Hamza theksoi se PDK është e bashkuar dhe plotësisht e mobilizuar për procesin zgjedhor. Ai deklaroi se partia tashmë ka ekipin, programin dhe vizionin me të cilin synon të rikthejë stabilitetin institucional.

Hamza u shpreh se Kosova ka nevojë për “normalitet, stabilitet dhe një qeveri që jep rezultate”, duke kritikuar gjendjen aktuale politike që, sipas tij, karakterizohet nga kriza dhe improvizime.

“Fitorja e PDK-së do të jetë fitorja e Kosovës së zhvilluar,” tha ai, duke shtuar se partia e tij është e gatshme të rikthejë funksionimin normal të shtetit.

Në fund, kreu i PDK-së u bëri thirrje qytetarëve që më 28 dhjetor të jenë të bashkuar, të mobilizuar dhe të vendosur për një Kosovë që “punon, zhvillohet dhe ecë përpara”.

“Me PDK-në. Për fitore. Për Kosovën. Na priftë e mbara!”, përmbylli reagimin e tij.