Kalimi i mjeteve në Tunelin e Llogarasë vazhdon të jetë i ndaluar, pasi siç raportohet, për shkak të një defekti në traun e komandimit, autoritetet menaxhuese në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore kanë devijuar qarkullimin në rrugën e vjetër.
Sipas raportimeve nga mediat lokale në Vlorë, nga reshjet intensive të shiut që vazhdojnë prej një jave, sistemi i komandimit të traut ka dalë jashtë funksionit, për shkak të prezencës së ujit në pjesën elektronike të komandimit.
Prania e ujit në kabujt elektrik dhe në sistemin qendror, ka bërë që mekanizmi të mos jetë aktiv dhe në këto kushte, autoriteti menaxhues nuk ka qenë në gjendje të përpunojë hyrje-daljet e mjeteve.
Për shkak të kësaj situate, qarkullimi i mjeteve është devijuar përkohësisht në rrugën e vjetër, deri në rikthimin e plotë të funksionimit teknik të tunelit. Autoritetet po punojnë për të riparuar defektin dhe pritet që një njoftim i ri të bëhet sapo të normalizohet situata.
Tuneli i Llogarasë u hap përkohësisht për sezon veror në korrik të 2024-ës dhe më pas u mbyll në nëntor po të vitit të shkuar. Pasi mbaruan të gjitha punimet, tuneli u hap përfundimisht në maj 2025, dhe deri më tani kalimi ka qenë pa pagesë, me qëllim që të lehtësohej kalimi gjatë sezonit turistik veror. Prej Tetorit, kanë hyrë në fuqi tarifat për kalimin e mjeteve.
100 lekë- Mjetemotorike me karakteristika motoçiklete, motorcikletë me tre rrota dhe katerçikletë.
250 lekë- Mjete motorike me dy boshte dhe lartësi <=1.30 m, e matur te boshti i pare (makina pasagjerësh, automjete të lehta shpërndarjeje). 500 lekë- Mjete motorike me më shumë se dy boshte dhe lartësi <=1.30 m, e matur te boshti i parë, (makina pasagjerësh me rimorkio ose karavan, automjete të lehta shpërndarjeje me rimorkio ose karavan. 1000 lekë- Mjete motorike me dy ose tre boshte dhe lartësi >1.30 m, e matur te boshti i pare, përfshirë autobuzë, kamionë dhe mjete të ngjashme me rimorkio
5000 lekë- Klasa IV;Mjete motorike me katër ose me shumë boshte dhe lartësi >1.30 m, e matur te boshti i parë, përfshirë autobuzë dhe kamione me shumë rimorkio







