Presidenti Donald Trump dhe kryebashkiaku i zgjedhur i New York-ut, Zohran Mamdani, zhvilluan sot një takim në Shtëpinë e Bardhë, ku përplasjet e mëparshme politike u kombinuan me premtime për bashkëpunim në çështjet që shqetësojnë qytetin. Mamdani tha se kishte ngritur shqetësimet e banorëve për mënyrën se si operon ICE në New York, ndërsa Trump u shpreh se diskutimi ishte fokusuar më shumë te kriminaliteti, për të cilin – sipas tij – të dy palët ishin të një mendimi: nuk duan rritje të krimit në qytet.
Takimi u shoqërua edhe me momente të pazakonta. Kur një gazetar pyeti Mamdanin nëse qëndronte te deklaratat e mëparshme ku e quante Trump-in “fashist”, presidenti i ndërhyri me humor duke i thënë: “Thjesht thuaj po, është më e lehtë”, dhe Mamdani u përgjigj: “Okay, po.” Më herët ai kishte refuzuar të komentonte rezolutën e Kongresit që dënonte “tmerret e socializmit”, duke thënë se nuk e shqetësojnë deklaratat politike në Washington dhe se fokusi i tij është puna për të bërë New York-un të përballueshëm.
Trump u pyet gjithashtu për planet për të paditur BBC-në dhe marrëdhëniet me kryeministrin britanik Keir Starmer. Ai tha se e vlerëson Starmerin si një person “të mirë”, megjithëse nënvizoi problemet e Mbretërisë së Bashkuar me energjinë dhe emigracionin. Ndërkohë, Mamdani theksoi se votues të Trump-it kishin ndikuar në formësimin e fushatës së tij, sidomos ata që e mbështetën presidentin për arsye të përballueshmërisë.
Në pyetjet për Lindjen e Mesme, Trump tha se ai dhe Mamdani ndajnë dëshirën për paqe, ndërsa kryebashkiaku i zgjedhur kujtoi se shumë votues të tij kërkonin fundin e “luftërave të pafundme”. Po ashtu, Mamdani u pyet nëse qëndronte te deklaratat e mëparshme ku e quante Trump-in “despot” dhe akuzonte për “agjendë fashiste”, por ai u përgjigj se në takim ishin fokusuar te misioni i përbashkët për t’u shërbyer banorëve NY. Trump ndërhyri duke thënë se “është quajtur shumë më keq se despot, ndaj nuk i bën përshtypje”.
Edhe pse gjatë fushatës kishin shkëmbyer etiketime si “komunist” nga ana e Trump dhe “autoritar” nga Mamdani, të dy palët u shfaqën të gatshëm të bashkëpunojnë. Mamdani tha se mezi pret të punojë me presidentin për çështjen e përballueshmërisë, ndërsa Trump e quajti atë “një kryebashkiak të shkëlqyer për New York-un” dhe përsëriti se “çdo gjë që bëj, është e mirë për New York-un”.







