Ballina Kosovë Instituti Hidrometeorologjik paralajmëron përmbytje të mundshme në disa pjesë të Kosovës

Instituti Hidrometeorologjik paralajmëron përmbytje të mundshme në disa pjesë të Kosovës

37
0

Disa pjesë të Kosovës mund të përballen me përmbytje pasi parashikohen reshje të shiut të shtunën pasdite dhe të dielën, paralajmëroi Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Në një njoftim në Facebook, instituti tha se e ka ngritur alarmin në nivel të verdhë, i cili nënkupton se moti është “potencialisht i rrezikshëm”.

Derisa niveli i ujit në lumenj në gjithë vendin ka rënie tani për tani, pasi ato kishin dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje në pjesë të vendit më herët gjatë javës, pritet të ketë sërish rritje të nivelit të ujit, thuhet në njoftim.

Reshje të shiut parashikohet të ketë në pjesët, lindore, verilindore, qendrore dhe jugore të vendit.

Ato pritet të ndikojnë në ngritjen e niveleve në Lumin Morava e Binçës me degën kryesore Kriva Reka, të cilat mund të shkaktojnë vërshime.

“Situata e tillë do të dominojë edhe në pjesë të tjera të vendit, sidomos pjesa veri-lindore (Pellgu i Llapit), qendrore (Sitnica) dhe jugore (Pellgu i Lepencit)”, thuhet në njoftim.

Ky paralajmërim vjen pasi në fillim të javës, kryeqyteti i vendit, Prishtina, e ndërpreu mësimin në të gjitha shkollat e qytetit të martën, si pasojë e reshjeve të mëdha të shiut dhe rrezikut nga përmbytjet.

Të hënën dhe të martën u raportua për vërshime të vogla në pjesë të vendit, të cilat nuk kanë shkaktuar viktima apo dëme të mëdha.

Kosova është përballur me përmbytje vitet e fundit, të cilat kanë shkaktuar kryesisht dëme materiale.

Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave. REL