Ballina Aktualitet ‘Hijet’ e një skandali/ Qeveria i jep leje për central 80 milion...

‘Hijet’ e një skandali/ Qeveria i jep leje për central 80 milion euro ‘punëtorit’ të oligarkut Salillari!

43
0

Një javë më parë Piranjat treguan historinë e Hektor Agalliut, pensionistit nga Tërpani, punëtorit të Salillarit, i cili kishte përfituar konçensionin për ndërtimin e Portit Tregtar të Vlorës, një projekt rreth 60 milionë euro.

Por rezulton se historia nuk mbaron me kaq, pasi edhe një pjesëtar tjetër i familjes duket se gëzon të njëjtën dhunti si kryefamiliari, Engjëll Agalliu, djali i Hektorit, i cili ka përfituar nga një projekt edhe më i madh.

Objekti i veprimtarisë ka të bëjë me një sërë aktivitetesh, që nga prodhimi, shpërndarja dhe shitja e energjisë, e deri te ofrimi i shërbimeve imobiliare e shitblerja e pronave të patundshme.

Kapitali fillestar ishte 100 mijë lekë të reja.

Një shifër modeste, e barazvlefshme maksimumi me dy muaj qira zyrash, por që nuk e stepi aspak Ministrinë e Energjitikës ta shpallte Albanian Solar Power përfituese të një lejeje gjigante prej 82 megavatësh, një projekt që kërkon të paktën 80 milionë euro investim.

Më 4 qershor të vitit 2025, Këshilli i Ministrave i miraton Engjëll Agalliut lejen për “Ndërtimit të centralit gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse, në fshatin Boçovë të Bashkisë Fier” për 49 vjet dhe në këmbim shteti do të marrë falas në masën 2% të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare.

Si babai, Hektori, ashtu edhe djali, Engjëlli, janë punonjës të firmës Salillari. Të dy zgjohen çdo ditë në mëngjes. Në orën 07:00 dalin njëri pas tjetrit nga pallati i ndërtuar nga Salillari dhe nisen për në punë, duke udhëtuar me të njëjtën makinë të firmës Salillari.

Këtu duhet sqaruar edhe njëherë, se pavarësisht lidhjeve të ngushta familjare me oligarkun, të dy ata mbulojnë pozicione modeste pune.

Pra, për ta përmbledhur: nga një familje e zakonshme punëtorësh të thjeshtë, në vetëm pak vite, babë e bir janë në qendër të dy mega-projekteve që çdo kompani e madhe dhe me eksperiencë do t’i ëndërronte.

Se si, se pse, se çfarë, këtë nuk mund ta themi dot. Ajo që është e sigurt ka të bëjë me faktin se tashmë toka në Boçovë të Fierit është në duart e Agalliut, i cili ka lejen dhe është gati të nisë projektin më të rëndësishëm të jetës.

Por, a është Engjëll Agalliu pronari real i këtij projekti apo thjesht emri që duhej të dilte në letër?/Piranjat