Ballina Kosovë Asgjësohen 3 ton tranguj me pesticide në Kosovë, të destinuar për Slloveni

Asgjësohen 3 ton tranguj me pesticide në Kosovë, të destinuar për Slloveni

43
0

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës ka njoftuar se janë asgjësuar 2 mijë e 900 kilogramë tranguj të konservuar. Siç bëhet e diture janë zbuluar mbetje të pesticidit Chlorpyrifos, në tranguj të përpunuar në Mamushë për t’u eksportuar në Slloveni. Një rast shqetësues për sigurinë ushqimore është zbuluar së fundmi në Kosovë. Autoritetet kanë asgjësuar afro 3 mijë kilogramë tranguj të konservuar, pasi në to janë gjetur mbetje të pesticidit të ndaluar Chlorpyrifos.

Produktet ishin përpunuar në komunën e Mamushës dhe ishin përgatitur për eksport në Slloveni. Sipas njoftimit zyrtar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV), njoftimi për ndotjen e trangujve ka ardhur përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe për Ushqim për Kafshë (RASFF), një mekanizëm që lidh autoritetet e shteteve të Bashkimit Evropian dhe vendet partnere për rastet e ndotjeve ushqimore.

“AUV ka pranuar njoftimin lidhur me zbulimin e mbetjeve të pesticidit Chlorpyrifos në tranguj të përpunuar në Mamushë dhe të eksportuar në Slloveni. Pas pranimit të këtij informacioni, janë ndërmarrë masat e menjëhershme për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, përfshirë identifikimin, bllokimin dhe asgjësimin e produktit të prekur”, thuhet në komunikatën e Agjencisë.

Nga hetimet është konstatuar se loti nr. 090827, me sasi prej 2,934.70 kilogramësh tranguj të prerë dhe të konservuar, ishte përgatitur për eksport, por është ndaluar dhe asgjësuar në prani të zyrtarëve të AUV-së.

“Nga veprimet e ndërmarra sipas njoftimit të RASFF, është konstatuar se loti nr. 090827, në sasinë prej 2934,70 kg tranguj të prerë dhe të konservuar, ka qenë e përgatitur për eksport në Slloveni dhe si e tillë, është asgjësuar në prani të zyrtarëve të AUV-së dhe palës përkatëse, konform legjislacionit në fuqi”.

AUV ka sqaruar gjithashtu se asnjë pjesë e këtij produkti nuk ka përfunduar në tregun e brendshëm të Kosovës, duke siguruar se masat janë ndërmarrë në kohë për të parandaluar çdo rrezik për konsumatorët. Pesticidi Chlorpyrifos, që është ndaluar në shumë vende të Evropës, përfshirë Bashkimin Evropian, njihet për efektet e tij të dëmshme në sistemin nervor dhe rrezikun potencial për shëndetin e njeriut nëse konsumohet në sasi të larta./Monitor.al