Ballina Aktualitet Hetimet për Unazën e Madhe, si u favorizua me tendera miku i...

Hetimet për Unazën e Madhe, si u favorizua me tendera miku i Shkëlzen Berishës, Ilir Shtufi

38
0

Ilir Shtufi, një nga ndërtuesit e kullës dhjetra-katëshe të njohur si “Mali i Tiranës” në zemër të kryeqytetit dhe i njohur për lidhje të forta klienteliste me Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit Sali Berisha, rezulton të jetë favorizuar nga Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, për të fituar tendera rrugësh.

Në dosjen e SPAK zbardhen edhe komunikimet e Belinda Ballukut me ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, i cili prej një viti e gjysmë ndodhet në burg për korrupsion, pastrim parash dhe akuza të tjera. Balluku i kërkon Berberit të kontaktojë me Ilir Shtufin.

“Nga akti i ekspertimit nr. 195, datë 26.09.2024, të aparatit celular ‘Blackberry’, model ‘BBF100-6’, të sekuestruar shtetasit Evis Berberi, nga nxjerrja e të dhënave teknike kompjuterike që përmban ky aparat celular, kanë rezultuar komunikime ndërmjet shtetasve Belinda Balluku, Evis Berberi dhe Ilir Shtufi, si më poshtë:

Më datën 10.09.2021, në orën 10:46, shtetasja Belinda Balluku i dërgon shtetasit Evis Berberi mesazhin: ‘Hajde tek unë në 11’.
Në orën 10:46, Evis Berberi përgjigjet: ‘Erdha’.
Në orën 13:00–13:01, Belinda Balluku: ‘Çdo gjë ok Lenci me Pellumb. Prite pak Ilir Shtufin e Nova dhe bëja të qartë që shkon me EUT. Dhe mos ta shoh në vend tjetër. Punët i ke me Gim thuaj, jo me mua’.
Në orën 13:01, Evis Berberi: ‘Ok’.

Menjëherë pas këtij komunikimi, po më 10.09.2021, shtetasi Evis Berberi komunikon me shtetasin Ilir Shtufi. Në orën 13:54–13:55, Ilir Shtufi i dërgon mesazhe: ‘Përsh si të kam… Ilir Shtufi Nova jam. Të tak pak, më kanë thënë kur mundesh’.
Në orën 14:07, Evis Berberi: ‘Hajde, kalo’.
Në orën 14:07, Ilir Shtufi: ‘Ok, 10 min’.

Menjëherë pas këtij komunikimi, Evis Berberi shkruan në orën 15:09 shtetasës Belinda Balluku: ‘E takova ok’, duke iu referuar instruksionit të saj për ‘Ilir Shtufin e Nova dhe që shkon me EUT’ (kompania Euroteorema).

Nga hetimi rezulton se shoqëria “Nova Construction 2012” sh.p.k. (me pronar Ilir Shtufin), më 14.09.2021 – vetëm 4 ditë pas këtyre komunikimeve – ka lidhur kontratë bashkëpunimi me shoqëritë “Euroteorema Peqin” sh.p.k. dhe “PE-VLA-KU” sh.p.k., për të marrë pjesë në procedurën e prokurimit REF-02817-08-13-2021, me objekt “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”, ku janë shpallur fitues.

“Evidentohet fakti se ende pa u mbyllur faza e dorëzimit të ofertave (afati i fundit ka qenë data 15.09.2021), pra pa u evidentuar shoqëritë pjesëmarrëse, shtetasit Belinda Balluku dhe Evis Berberi kanë pasur dijeni për fituesin e paracaktuar të procedurës së prokurimit, pasi u ishin dhënë kriteret më parë”, thuhet në dosje.

Ndërkohë nuk dihet ende statusi i biznesmenit Ilir Shtufi në këtë dosje, ndërsa zyrtarisht ai është nën hetim nga SPAK për financimin e kullës që njihet si “Mali i Tiranës”. Për këtë dhe përfshirjen e tij në Lotin 4 të Unazës së Tiranës, opozita – që nuk le rast pa kërkuar dorëheqjen e Ballukut dhe Ramës për dosjen e tunelit të Llogarasë – hesht. Vetëm një segment i vogël i medias ka publikuar lidhjet financiare të Ilir Shtufit me Shkëlzen Berishën, përfshirë dhe investimet në “Malin e Tiranës”.