Përballimi i temperaturave të ulëta është shndërruar në rit në Yakutsk të Rusisë.
Në tokën ku dimri duket i pafund, një grup notarësh vendas u zhytën në ujërat e akullta, duke përballuar temperaturat e ajrit deri në minus 30°C. Edhe pse vetëm 0°C, uji duket i ngrohtë për notarët.
Kontrasti i fortë i temperaturës, që e kthen zhytjen në një ndjesi paradoksale që vetëm ata që guxojnë ta provojnë mund ta kuptojnë.
Çdo zhytje është një betejë me natyrën dhe një fitore mbi vetveten. Ata besojnë se uji i akullt forcon imunitetin, e mpreh trupin dhe e ruan mendjen të pastër, si ajri i egër i Siberisë.
Yakutsku, rreth 5,000 kilometra në lindje të Moskës, mban titullin e qytetit të madh më të ftohtë në botë. Këtu, termometri rrallë ngrihet mbi zero nga tetori deri në prill, ndërsa dimri mund të zbresë deri në minus 60°C, duke e shndërruar çdo ditë të zakonshme në një provë që shumë njerëz as nuk do të guxonin ta imagjinonin.
Megjithatë, për notarët e akullit, kjo nuk është thjesht sfidë, është mënyrë jetese.







