Në konferencën e sotme për shtyp, Sali Berisha – përveç hallaktjeve të përditshme – u shpreh edhe për çështjen Balluku, ose më saktë për ankimimin që Kryeministri Edi Rama ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese. Ai pohoi se: “Akti i parë, për mendimin tim, që Gjykata duhet të bënte, është të refuzonte shqyrtimin e kërkesës, sepse ai vendim është në përputhje të plotë ligjore me kuadrin ligjor të Republikës së Shqipërisë.”
Ky është një ndryshim 180 gradë nga linja e mbajtur deri më tani prej tij. Sipas tij, vendimi i SPAK për pezullimin e Ballukut ishte një skenar i Edi Ramës kundër Ballukut (sepse SPAK është lodër në dorë të Edi Ramës pra). Sigurisht që nuk çuditet askush nga Berisha që tashmë është shprehja më e qartë e inkoherencës politike, në fjalë e veprime. Por edhe kjo “këshillë miqësore” e Berishës ndaj GJK-së duket se nuk është shkëputje nga vesi i tij i vjetër: te veshë me politike dhe ato çështje janë të pastra e të qarta juridikisht. Dhe kjo në fakt do ishte një ndihmë indirekte për Edi Ramën.
Sali Berisha e ka bërë të qartë publikisht prej kohësh se cila është konsiderata e tij për Gjykatën Kushtetuese. Që kur kërkesat e tij të para, në luftën me SPAK, rreth një vit më parë, gjetën refuzim në atë gjykatë, ai e ka etiketuar Gjykatën Kushtetuese si një “lodër në duart e Edi Ramës” (siç ka thënë edhe për SPAK deri më tani). E vetmja konsideratë pozitive per GJK ka qenë ajo ndaj anëtares Sonila Bejtja. Para rreth një muaji, kur sulmonte Presidentin e Republikës Begaj, ai gjeti kohën të shprehte konsideratën më të lartë për të: “Tani e vërteta është se zonja Bejtja ka pasur guximin, kurajon, që për të vërtetën të pranojë të mbetet pakicë në mënyrë të përsëritur në atë gjykatë. Pra, ajo ka nderuar ligjin, ka dëshmuar integritetin e vet.” Thoshte Berisha duke ngritur në qiell integritetin e zonjës Bejtja e cila në fakt i përket dhe treshes së gjyqtareve kushtetues që u ka rënë shorti të marrin në shqyrtim kërkesën e Kryeministrit Edi Rama për çështjen Balluku.
Në këtë kontekst do të ishte e udhës që Sali Berisha t’ia adresonte këtë sugjerim për refuzim të kërkesës së Kryeministrit vetëm znj. Bejtja, si anëtare e kësaj gjykate, të vetmen që ai vlerëson për integritet.
Për më tepër që kjo anëtare me mandat zyrtarisht të mbaruar në Gjykatën Kushtetuese tashmë ka dhe luksin të dëgjojë këshillat e Berishës pa u merakosur se ç’do të bëjë më tej në këtë gjykatë. Pak javë më parë ajo vendosi të kandidojë për postin e Komisionerit të Diskriminimit. Madje emri i saj kaloi në listën e shkurtër për miratim në Komisionin e Ligjeve. Por një “zog” e lajmëroi zonjën Bejtja se gjykata mund të kishte një çështje të rëndësishme dhe “Syrit” të zhvillimeve nuk i shpëtoi mundësia për të kapur një shans më të madh. Këtë të gjykimit të pretendimit të Kryeministrit Edi Rama. Ku shorti ka favorizuar gjyqtaren e preferuar të Sali Berishës që me gjasë mezi e ka pritur këtë rast të ndodhet mes elozheve të kryetarit të opozitës dhe mundësisë së artë të kryetarit të qeverisë. Që këtë herë sigurisht nuk do të mjaftohet me një karrige si ajo e Komisionerit për Diskriminimin. Oferta patjetër do jetë diçka më e lartë se kaq.
E ndërkaq çështja në Gjykatën Kushtetuese ende nuk ka një datë kur do të shqyrtohet, ndërsa Sandër Beçi, Sonila Bejtja dhe Holta Zaçaj janë të shortuar si treshja që do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim apo jo. Ndërsa Zaçaj është larguar përfundimisht dhe pritet të zëvendësohet, nuk dihet ende se kush do të zërë vendin e saj dhe kur do të shqyrtohet çështja./vna







