Ballina Opinion CIA, Shërbimi Sekret dhe gardistët e SPAK-ut

CIA, Shërbimi Sekret dhe gardistët e SPAK-ut

48
0

Nga Elton Metaj

Një publikim i Ambasadës Amerikane në Tiranë mbi trajnimin e disa oficerëve të Gardës së Republikës në Budapest, në Akademinë Ndërkombëtare të Zbatimit të Ligjit të SHBA-së (#ILEA), shkaktoi dhe po shkakton ende shumë vëmendje publike dhe komente nga gazetarë e komentatorë të ndryshëm. Tetë gardistët më të famshëm në Shqipëri, për momentin, e panë veten në qendër të vëmendjes, për shkak të njoftimit të Ambasadës Amerikane, ku thuhej që Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara zhvilloi një trajnim taktik të nivelit të lartë me truprojat e prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.
Siç ndodh zakonisht për fjalët që dalin nga selia e “Rrugës së Elbasanit”, nuk mungoi të ngrihej dallga e madhe e komenteve publike, por edhe përpjekja për deshifrimin e mesazhit amerikan, edhe nëse amerikanët vetë nuk kanë patur synim të lëshojnë ndonjë mesazh të nëndheshëm. Pikërisht në këtë vorbullë, një gabim a ngatërresë e vogël, diku edhe e qëllimtë, ndihmoi t’i hidhte “gjellës” kripën e duhur për ta bërë të shijshme për oreksin vendas.
Togfjalëshi i njoftimit të ambasadës “Shërbimi Sekret i SHBA”, në disa komente u interpretua si një angazhim i CIA-s për të asistuar SPAK-un, duke u lidhur kjo edhe me çështje hetimore, aktuale, të pritshme a të dëshiruara. Në fakt nuk ka asnjë lidhje mes trajnimit e stërvitjes së gardistëve dhe #CIA-s së famshme amerikane. Le ta shpjegojmë shkurtimisht.
Oficerët shqiptarë të Gardës janë stërvitur në #Budapest nga Shërbimi Sekret i Shteteve të Bashkuara, që është një agjenci federale e zbatimit të ligjit, nën varësinë e Departamentit të Sigurisë së Brendshme. Më parë, kjo agjenci ka qenë nën varësinë e Departamentit të Thesarit.
Misioni i Shërbimit Sekret është i ndarë në dy boshte kryesore:
1 – Mbrojtja dhe hetimi për të garantuar sigurinë e liderëve kombëtarë (dhe ndërkombëtarë gjatë vizitave zyrtare), vendeve të ndryshme (zyra, banesa, etj) dhe aktiviteteve të rëndësishme. Në listën e mbrojtjes përfshihen Presidenti dhe Zv/Presidenti i SHBA-së me familjet, ish-Presidentët me familjet (fëmijët deri 16 vjec), krerët e shteteve të huaja dhe zonjat e tyre, kandidatët kryesorë për President dhe Zv/President, me bashkëshortet, si dhe aktivitete speciale të lidhura me sigurinë kombëtare.
2 – Mbrojtja e integritetit të monedhës kombëtare dhe hetimi i krimeve kundër sistemit financiar amerikan nga kriminelë në mbarë botë, përfshirë edhe hapësirën kibernetike. Në fushën e veprimit përfshihen lufta ndaj falsifikimit të dollarit, mashtrimit në ATM e POS (makinat e tërheqjes/depozitimit/pagesave), transaksioneve joligjore të parave, mashtrimet me kartat e debitit e kreditit, vjedhja e identitetit dhe mashtrimet e institucioneve financiare.
Ndërkohë CIA (Agjencia Qendrore e Inteligjencës) ka në misionin e saj mbledhjen dhe shpërndarjen e informacionit për mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara nga kërcënimet. Ajo është një agjenci zbulimi, njerëzit e së cilës nuk shëtisin nëpër botë me mjetin e identifikimit të varur në kraharor apo automjetet ku shkruhet CIA, në ndryshim nga agjentët e Shërbimit Sekret, të cilët në angazhimin publik e kanë të detyrueshëm identifikimin.
Thënë shkurt: Ç’ka ndodhi në Budapest ishte një trajnim i disa gardistëve, punonjës të nderuar të Gardës së Republikës, për t’i aftësuar më tej për të ruajtur shefat e tyre që kanë mbi tryezë dosjet hetimore, ku janë fokusuar sytë e etur të një populli të tërë. Pas trajnimit, pa apo me syze të zeza si kolegët e tyre amerikanë, gardistët duhet t’i mbajnë edhe më shumë sytë hapur. Tashmë janë pjesë e famës së shefave.