Ballina Ekonomia Tatimet/ Jo rroga më pak se 80 mijë lekë në ndërtim, kush...

Tatimet/ Jo rroga më pak se 80 mijë lekë në ndërtim, kush i deklaron më të ulëta kontrollohet

23
0

Nëse një firmë ndërtuese do të deklarojë paga më të ulëta se 80 mijë lekë të reja për punonjësit bazë të saj apo më pak se 160 mijë lekë për një vinçier si rroga më e lartë, atëherë do të konsiderohet e dyshuar për nëndeklarim dhe do t’i nënshtrohet inspektimeve.

Një dokument i hartuar nga administrata e Tatimeve në vend është lista e pagave indikative për sektorin e ndërtimit, e cila përcakton minimunin e rrogës së çdo profesioni në ndërtim. Drejtoria e Tatimeve thotë se vëmendje të veçantë do të ketë edhe tentativa për t’i ndryshuar profesionin punonjësit në momentin e deklarimit.

Tatimet i bëjnë thirrje çdo biznesi të deklarojë saktë pagat e punonjësve, duke paralajmëruar masa administrative.

“Në kuadër të zbatimit të planit sektorial të ndërtimit dhe rritjes së pagesave për sigurimet shoqërore në funksion të rritjes së pensioneve, Administrata Tatimore informon të gjithë tatimpaguesit e këtij sektori se do të analizohen pagat e punonjësve të deklaruar në listëpagesat e këtij sektori. Për vlerësimin e riskut të tatimpaguesve që shmangin pagesën reale të pagave të punonjësve, analiza do të ketë si element krahasues pagat indikative të profesioneve në sektorin e ndërtimit sipas tabelës bashkëlidhur këtij njoftimi.

Tatimet/ Jo rroga më pak se 80 mijë lekë në ndërtim,

“Kujdes. Çdo tatimpagues që pagën e punonjësit të tij të deklaruar, për profesionet e sipërpërmendura ose të ngjashme me to, do ta ketë nën nivelin e pagës indikative, dhe që ndryshon profesionin me qëllim kategorizimin në pagën më të vogël do të konsiderohet me risk dhe do të jetë objekt kontrolli nga strukturat e specializuara të Administratës Tatimore”, njoftoi Administrata Tatimore.

Lista e pagave indikative në sektorin e ndërtimit nis me 80 mijë lekë për profesione si punëtor llaci, riparues apo punëtorë duralumini, nga 85-95 mijë lejë për suvatues, shtrues pllakash, bojaxhi, saldator e të tjerë e deri te administratori, inxhinieri teknik e drejtues vinçi që nuk do të deklarojnë më pak se 140 deri në 16 mijë lekë të reja.

Kjo listë miratohet në një kohë kur zyrtarisht pagat e deklaruara në ndërtim janë mesatarisht rreth 68 mijë e 400 lekë të reja, ndërkohë që realisht janë shumë të larta dhe paguhen cash.

Skema e kontrollit të pagave në ndërtim është e njëjtë me atë të turizmit, ku në qershor u caktuan pagat për punonjësit e shërbimeve.