Nga Klevi Elezi, Shkenca Politike
Në një kohë kur diskursi publik dominohet nga përplasjet mes figurave politike, retorikat boshe dhe spektakli mediatik që rrotullohet rreth të njëjtëve individë të konsumuar, realiteti në terren po degradon me shpejtësi alarmante. Rendi publik në Shqipëri është në rënie të dukshme, duke u kthyer nga një premisë bazike e shtetit modern në një pikë të dobët strukturore, për të cilën institucionet shtetërore nuk po japin dot përgjigje.
Krimet, incidentet me armë zjarri dhe aktet e dhunës janë bërë fenomen i përditshëm. Nuk flasim më për raste të izoluara, por për një normalizim të frikshëm të dhunës në hapësirën publike. Vrasjet ndodhin në rrugë, në biznese, në lagje dhe madje me shumë tronditje po përfshijnë gjithnjë e më tepër të rinjtë dhe adoleshentët. Kjo shënon një dështim të qartë të politikave të sigurisë dhe një deficit të autoritetit të ligjit.
Dështimi institucional është veçanërisht evident tek strukturat e rendit dhe drejtësisë, të cilat janë jo vetëm të tejmbushura me burokraci, por edhe të nënshtruara ndaj ndikimeve politike dhe interesave private. Ndërkohë që politika i shmanget përgjegjësisë, duke i trajtuar fenomenet kriminale si anomali aksidentale, qytetari i zakonshëm jeton nën ankthin e një pasigurie të vazhdueshme. Kjo është më shumë se një çështje statistike: është shthurje e kontratës sociale midis shtetit dhe shoqërisë.
Shteti nuk mund të jetë spektator në momentin kur siguria e jetës njerëzore është nën kërcënim. Nëse jetesa në këtë vend reduktohet në një lotari fatkeqësie, ku mbijetesa varet nga rastësia dhe jo nga garantimi institucional, atëherë mund të themi pa rezerva se kemi hyrë në një zonë të rrezikshme të funksionimit shoqëror. Në dorë të Zotit ka mbetur ky vend dhe kjo shprehje nuk është më figurë poetike, por diagnozë e saktë e perceptimit qytetar.
Rikthimi i rendit publik nuk është një detyrë që arrihet me deklarata politike apo me operacione sporadike. Kërkon reformë profesionale në polici dhe drejtësi, depolitizim të strukturave të sigurisë, transparencë të procesit të ndjekjes penale dhe mbi të gjitha: vullnet të vërtetë politik për të vendosur qytetarin në qendër dhe jo në periferi të interesave shtetërore.
Nëse nuk veprohet tani, atëherë Shqipëria rrezikon të përballet me një krizë të thellë shoqërore, ku pasiguria bëhet normë dhe dhuna gjuhë e zakonshme e rrugës./ bulevard news







