Ballina Bota Anijet kineze dhe japoneze “konfrontohen” pranë ishujve gjeopolitikisht të ndjeshëm

Anijet kineze dhe japoneze “konfrontohen” pranë ishujve gjeopolitikisht të ndjeshëm

25
0

Rojet bregdetare të Kinës dhe Japonisë kanë dhënë versione të ndryshme të një konfrontimi që ndodhi pranë një grupi ishujsh gjeopolitikisht të ndjeshëm në Detin e Kinës Lindore.

Roja Bregdetare e Kinës tha të martën se një anije peshkimi japoneze kishte hyrë ilegalisht në ujërat e Ishujve Diaoyu – të cilët Tokio i quan Ishujt Senkaku.

Kina i pretendon ato si territor të saj, pavarësisht se ishujt administrohen nga Japonia.

Ndërkohë, Roja Bregdetare e Japonisë theksoi se ”ka kapur dhe dëbuar” dy anije të Rojës Bregdetare Kineze ndërsa ato i afroheshin anijes së peshkimit.

Ky konfrontim vjen ndërsa lidhjet diplomatike midis dy kombeve përkeqësohen, pasi udhëheqësi i Japonisë bëri komente kontraverse në lidhje me Tajvanin muajin e kaluar.

Ndërsa iu përgjigj një pyetjeje në parlament në nëntor, kryeministri japonez Sanae Takaichi, i njohur si një kritik i zëshëm i Kinës dhe aktiviteteve të saj në rajon, sugjeroi që Tokio mund të ndërmarrë veprime ushtarake nëse Pekini sulmon Tajvanin.

Pekini e sheh Tajvanin e vetëqeverisur si pjesë të territorit të tij dhe nuk e ka përjashtuar përdorimin e forcës për t’u “ribashkuar” me të.

Që atëherë, të dyja palët kanë qenë të përfshira në një retorikë gjithnjë e më armiqësore ndaj njëra-tjetrës, me përçarjen në zgjerim që ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve në të dy vendet.

Tajvani ndodhet rreth 160 km në jugperëndim të Ishujve Senkaku.

Zëdhënësi i Rojës Bregdetare të Kinës (CCG), Liu Dejun, tha se anijet kineze të martën iu afruan dhe paralajmëruan një anije peshkimi japoneze që kishte “hyrë ilegalisht në ujërat territoriale të Diaoyu Dao të Kinës”, sipas një raporti të medias shtetërore.

Liu shtoi se CCG mori “masat e nevojshme të zbatimit të ligjit”, duke pretenduar se ishujt ishin territor kinez dhe duke i kërkuar Japonisë të “ndalojë menjëherë të gjitha aktet e shkeljes dhe provokimit në këto ujëra”.

Në anën tjetër, Roja Bregdetare e Japonisë (JCG) ofroi një version paksa të ndryshëm, duke thënë se iu afruan anijeve kineze menjëherë pasi u panë duke hyrë në ujërat japoneze në orët e para të së martës dhe lëshoi një kërkesë që ato të largoheshin nga ujërat.

Ndërsa Japonia dhe Kina bënë një marrëveshje në parim në vitin 2008 për të shfrytëzuar së bashku burimet në Detin e Kinës Lindore, rrugën ujore që ndan të dy vendet, tensionet janë përshkallëzuar gjatë viteve të fundit.

Ishujt Senkaku/Diaoyu, të cilët janë të pabanuar, përfaqësojnë një pikë të nxehtë në këto tensione.

Kina ka dërguar një numër gjithnjë e në rritje anijesh drejt ishujve, në atë që duket të jetë një përpjekje për të testuar vendosmërinë e Japonisë për t’i mbrojtur ato.