Ballina Politika Mogherini, historia e një eurokrateje të korruptuar: pazare me vende autokratike, vila,...

Mogherini, historia e një eurokrateje të korruptuar: pazare me vende autokratike, vila, verëra të shtrenjta

26
0

Federica Mogherini, ish-shefja e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian, ka qenë e dyshuar për korrupsion që në fillimet e punës. Vetëm një vit pasi kishte marrë detyrën, ajo shpalli një tender, në vitin 2015, për blerjen e seteve të gotave për pritjet që do të organizonte në selinë e Bashkimit Evropian. Për këto sete, në një total prej 3,600 gotash të vizatuara me flamurin e BE-së dhe të zbukuruara me ar, taksapaguesi evropian duhej të paguante një shumë prej 3 milionë dollarësh, shkruante gazeta angleze Daily Telegraph asokohe:

‘Diplomatët e Bashkimit Evropian planifikojnë të darkojnë në stil perandorak, duke porositur një shërbim banketi që mund të kushtojë deri në 2 milionë paund.

Shërbimi Europian për Veprim të Jashtëm (EEAS), që vepron si ministria e Jashtme e BE-së, do të blejë një gamë ‘shkëlqyese’ gotash kristali, takëmash argjendi dhe porcelani të punuar hollë për të organizuar bankete dhe darka për personalitete të rëndësishme që vizitojnë institucionin’, ka mësuar Daily Telegraph.

Seti i enëve, i destinuar të përdoret për deri në 3,360 zyrtarë dhe të ftuar në selinë e EEAS në Bruksel, si dhe në 140 ambasadat e saj në mbarë botën – do të jetë i zbukuruar me Flamurin e Europës, të gdhendur në gotat e pijes dhe të pikturuar me ari mbi porcelanin ‘me cilësi të lartë’, thuhet në artikull:

Sipas gazetës, zonja Mogherini ka administruar një fond jashtëzakonisht të madh gjatë kohës kur ka qenë shefe e shërbimit të jashtëm të BE-së:

‘I krijuar nga Traktati i Lisbonës i vitit 2009, ai drejtohet nga Përfaqësuesja e Lartë Federica Mogherini, ish-anëtare e Rinisë Komuniste që më pas u bë Ministre e Jashtme e Italisë. Shërbimi ka një staf prej 3,400 vetash, një buxhet prej 793 milionë eurosh (550 milionë paund) dhe zyra në Sejchelle, Australi, Kanada dhe Kazakistan’, thuhet në shkrim.

Në vitin 2017 në Shqipëri plasi një skandal që flet edhe më shumë për lidhjet korruptive të zonjës Mogherini me njerëz të vendosur në krye të misioneve në mbarë botën, ku natyrisht Shqipëria nuk mund të qëndronte jashtë. Portali Neweurope.eu publikoi një lajm në lidhje me blerjen e një vile ku do të qëndronte kryetarja e misionit të BE-së së asaj kohe, Romana Vlahutin:

‘Komisioni Europian ka blerë së fundmi një vilë 1.65 milionë euro në një bllok vilash në periferi të Tiranës. Vila ku do të jetojë ambasadorja e BE Romana Vlahutin ka kushtuar 4,700 euro metri katror. Interesant është fakti se vilat në zonë variojnë nga 1,000 deri 2,000 euro metri katror. Në një kërkim në internet në Shqipëri, një vilë e tillë e bukur 3-katëshe kushton pak më shumë se 850 mijë euro dhe ka një hapësirë 600 metra katrorë. Ajo që është mbreslënëse është fakti se vila e ambasadores së BE, që kushton 1.65 milionë euro, ka 345 metra katrorë’, shkruante në atë kohë portali.

Në lidhje me këtë çështje, Daily Telegraph njofton se Federica Mogherini kishte në plan të shpenzonte rreth 450 milionë euro për blerje pronash të patundshme në të gjithë botën, duke e arsyetuar me kostot e larta të qerave për krerët e shërbimeve:

‘Shërbimi ka plane madhore për zgjerim. The Telegraph ka parë dokumentet e tenderit për një linjë kredie me vlerë deri në 200 milionë euro për të blerë prona me vlerë deri në 450 milionë euro (312 milionë paund) në mbarë botën. EEAS tha se do të kursejë para në afat të gjatë duke i dhënë fund nevojës për të marrë ndërtesa me qira.’

Të dyja, si Federica Mogherini ashtu edhe Romana Vlahutin, kanë qenë mjaft aktive në mbrojtje të korrupsionit dhe trafikut të drogës në Shqipëri. Një fokus i veçantë i hetimit aktual në Belgjikë është blerja nga Kolegji i Evropës, në vitin 2022, e një ndërtese banimi në Spanjaardstraat në Bruges për rreth 3.2 milionë euro. Prona aktualisht strehon diplomatë që ndjekin akademinë. Blerja ndodhi gjatë një periudhe të raportuar të vështirësive financiare për institucionin dhe pak para se EEAS të niste një tender i cili më vonë i dha kolegjit rreth 654,000 euro fonde nga BE.

Federica Mogherini do të largohej nga kjo detyrë në vitin 2019, për t’u emëruar më pas si rektore e Kolegjit të Evropës në vitin 2020. Menjëherë pas kësaj ajo u përball me akuza të tjera. Në vitin 2022 ajo dha dorëheqjen nga bordi ‘Fight Impunity’, një organizatë joqeveritare me njerëz të njohur në përbërje. Dorëheqja erdhi pasi disa zyrtarë europianë, përfshirë disa eurodeputetë dhe vetë nënpresidenten e Parlamentit Europian, Eva Kaili, u akuzuan se kishin pranuar shuma të mëdha parash nga Katari, vendi pritës i Kupës së Botës.

Doha zyrtare mohoi akuzat, por skandali mori dhenë. Përveç Mogherinit, dorëheqje nga bordi ‘Fight Impunity’ dha edhe ish-kryeministri francez Bernard Cazeneuve, ish-komisioneri europian për Migracionin Dimitris Avramopoulos, ish-eurodeputetja Cecilia Wikström dhe eurodeputetja Isabel Santos. Ata u larguan pasi akuzat u drejtuan edhe kah themeluesi i këtij bordi, ish-eurodeputeti italian Pier Antonio Panzeri. Ky i fundit, i cili ishte dhe në krye të fondacionit, u arrestua nën akuzat për ryshfet dhe ndikim nga Katari.

Jeta luksoze dhe stili i dyshimtë i saj ishin përmendur edhe më herët nga mediat. Për shembull, në një takim 3-ditor me presidentin e Azerbajxhanit në vitin 2016, ajo harxhoi 75 mijë euro. Mogherini preferonte shërbimet e charter taxi për këto lloj takimesh.

Javët e fundit, ka patur një sërë akuzash të veçanta në lidhje me aktivitetet e inteligjencës hungareze në Bruksel. Gazetarët investigativë raportuan se oficerët hungarezë, që vepronin nën mbulesë diplomatike në përfaqësinë e përhershme të vendit midis viteve 2015 dhe 2017, u përpoqën të rekrutonin zyrtarë të BE-së, përfshirë stafin e Komisionit.

Këto pretendime për spiunazh përqendrohen në periudhën kur Olivér Várhelyi, tani Komisioner Europian, shërbeu si ambasador i Hungarisë në BE. Ai i tha Presidentes së Komisionit Ursula von der Leyen se nuk ishte në dijeni të ndonjë aktiviteti të tillë. Komisioni Europian ka krijuar një grup të brendshëm për të shqyrtuar akuzat, duke deklaruar se i trajton ato si një çështje sigurie operacionale.

Në fakt, duke i marrë me rradhë të gjitha rastet ku është përfshirë në korrupsion zonja Mogherini, ka një ngjashmëri të madhe edhe me veprimtarinë e saj në Shqipëri. Blerje vile shumë herë mbi çmimin, deklarata mbështetëse duke mohuar madje dhe trafikun e drogës, pritje luksoze nga ana e Ramës dhe të tjera si këto kanë qenë prezente në ato vite. Qoka e fundit që ajo do t’i bënte homologut të saj socialist ishte hapja e degës së Kolegjit të Evropës në Tiranë në vitin 2024. Por a është blerë godina nga ana e BE-së për këtë qëllim, apo është ende me qira, kjo nuk është bërë kurrë e ditur.

Deri më tani, si rast korrupsioni është raportuar vetëm vila ku është strehuar Misioni në Rolling Hills. Gjithsesi, edhe rasti i Shqipërisë dhe marrëdhëniet e Mogherinit me Ramën janë mjaft të dyshimtë dhe interesant për t’u hetuar