Uljan Shpataraku, që synon të jetë të nesërmen drejtor i Policisë së Qarkut Korçë, konsiderohet një prej njerëzve më të besuar të kryepolicit Ilir Proda. Sipas burimeve rezulton që jashtë çdo atributi ligjor ai ka qëndruar në ambientet e policisë së Elbasanit gjatë kohës që po merreshin në pyetje personat e dyshuar për vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka.
Ky konsiderohet një skandal i paprecedentë që persona pa atribute ligjore të ndërhyjnë në hetime apo të marrin pjesë në to, por në rastin konkret të gjithë e kanë parë praninë e Shpatarakut, por askush s’ka reaguar. Sepse reagimi me gjasë mund të sillte reagim të ashpër nga Proda dhe ndoshta s’do të ishin në funksionet e tyre të mëparshme.
Ilir Proda duhet të shpjegojë pse i besuari i tij u bë pjesë e hetimit, ndërsa AMP duhet të çelë një procedurë hetimore.
Mondi Mëhalla alias Edmond Hyka u qëllua për vdekje në automjetin e tij. Policia ka arrestuar 3 persona të dyshuar, përfshirë dhe ish-ortakun e tij, ndërsa ka shpallur në kërkim dy të tjerë./vna







