Ballina Aktualitet Securimeter 2025: Si e shohin qytetarët barazinë përpara shtetit në Shqipëri

Securimeter 2025: Si e shohin qytetarët barazinë përpara shtetit në Shqipëri

30
0

Sipas të dhënave të sondazhit rajonal Securimeter 2025, perceptimi për trajtimin e barabartë nga institucionet publike ndryshon ndjeshëm mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe e vendos Shqipërinë në një pozicion më pozitiv se pjesa më e madhe e rajonit, por ende larg një besimi të plotë nga qytetarët.

Në Shqipëri, 32% e të anketuarve shprehen se bien dakord, plotësisht ose pjesërisht, me pohimin se institucionet publike i trajtojnë njerëzit njësoj, ndërsa 48% qind nuk bien dakord, një shifër që përkon me mesataren rajonale të kundërshtimit, por e shoqëruar me një nivel dukshëm më të lartë besimi sesa mesatarja e Ballkanit Perëndimor, ku vetëm 24 % shprehin dakordësi.

Një veçori e Shqipërisë është edhe përqindja më e ulët e përgjigjeve “nuk di” ose “refuzoj”, çka sugjeron se qytetarët kanë formuar më qartë një qëndrim ndaj funksionimit të institucioneve.

Në këto shifra, Shqipëria dallon si vendi i dytë më pozitiv pas Kosovës, një pozicion që tregon se, pavarësisht kritikave dhe pakënaqësive të vazhdueshme, një pjesë e rëndësishme e shoqërisë shqiptare sheh shenja funksionimi të barabartë të institucioneve.

Megjithatë, fakti që pothuaj gjysma e qytetarëve nuk besojnë se trajtohen njësoj nga shteti, mbetet një sinjal i fortë se sfida e ndërtimit të besimit publik është ende e hapur dhe se reformat në drejtim të transparencës, barazisë dhe llogaridhënies mbeten thelbësore për të ndryshuar perceptimin e publikut në vitet që vijnë