Në kronikat e Luftës së Dytë Botërore zakonisht gjejmë beteja, heroizma dhe sakrifica madhore. Por, mes verës së vitit 1944, historia shqiptare na sjell edhe ngjarje më tokësore – aq tokësore sa të të kujtojnë se partizanët, përveç frontit, duhej të menaxhonin edhe etjen.
Komanda e Qarkut të Gjindarmërisë në Korçë njofton se më 9 gusht, rreth orës 21:00, në pikën ku ndahet rruga Zvezdë–Maliq, një çetë e Brigadës së II-të të Brigadës XV Sulmuese ka ndaluar një automjet me pasagjerë që udhëtonte nga Tirana drejt Korçës, si edhe dy makina të Shoqërisë “Birra Korça”. Të fundit drejtoheshin nga shoferi Kollombo Guliermë Kasellato Alcesto – një emër që ngjan më shumë me protagonistin e një filmi italian sesa të një raporti ushtarak shqiptar të vitit ’44.
Sipas raportit, forcat partizane i kanë marrë tre arka me birra, para se ta linin shoferin të lirë. Për masë – ose për disiplinë kohore – i kanë sekuestruar edhe një sahat dore. Ndoshta për të sinkronizuar sulmet, ndoshta për të matur kohën e pushimit. Këtë pjesë historia nuk na e sqaron.
Episodi shfaqet në një moment kur forcat partizane përpiqeshin të çlironin vendin, por rasti tregon se në terren ndodhnin edhe situata më pak revolucionare: ndalime, sekuestrime dhe konfiskime të pasurisë, përfshirë edhe… arka birrash.
Ngjarja dokumentohet me përpikmëri nga Komandanti i Qarkut të Gjindarmërisë, major Halit Sulejmani, i cili ka lënë pas këtë dëshmi të vogël ku heroizmi i epokës përzihet, pa dashur, me një grimcë humor absurd./vna
⸻
Raporti i plotë
Korçë, më 12/8/1944
Më 9/8/1944 rreth orës 21, në vendin ku u ndahet rruga Zvezdë-Maliq, një çetë e Brigadës së II-të të Brigadës XV Sulmuese ka ndaluar një veturë me pasagjerë, e cila vinte nga Tirana për Korçë, si dhe dy kamionçina të Shoqërisë “Birra Korça”. Këto të fundit drejtoheshin prej shoferit Kollombo Guliermë Kasellato Alcesto, të cilit i kanë marrë tre arka me birra dhe një sahat dore, e pastaj i kanë liruar.
Komandanti i Qarkut të Gjindarmërisë
Major Halit Sulejmani








