Ballina Ekonomia Nga 2026-ta, reduktohet paraja fizike! BSH: Po shkohet drejt shërbimeve digjitale, cash-i...

Nga 2026-ta, reduktohet paraja fizike! BSH: Po shkohet drejt shërbimeve digjitale, cash-i është më i kushtueshëm

19
0

Tavani prej 500 mijë lekësh për individët për transaksionet me para fizike për Shoqatën e Bankave është i lartë, por Banka e Shqipërisë thotë se reduktimi i parasë në qarkullim duhet të bëhet në mënyrë graduale, për të dhënë kohë për përshtatje.

“Në gjykimin tonë është një vlerësim që bëhet duke marrë në konsideratë nivelin e qarkullimit të parasë fizike, duke marrë në konsideratë kohën e shkurtër për të cilën këto masa duhet të merren, duhet të ketë kohë të mjaftueshëm për të gjithë individët që të përqafojnë një nismë të tillë. Është një limit që i përshtatet stilit të jetesës së individëve. Në të ardhmen besoj se ky limit do të rishihet gradualisht në ulje”, tha Ledia Bregu, drejtore e Departamentit të Sistemeve të Pagesave, BSH.

Banka Qendrore shpjegon pse në Shqipëri po shkohet drejt veprimeve digjitale.

“Cash-i rezulton që është shumë i kushtueshëm për ekonominë shqiptare. Studimet tregojnë që i kushton rreth 1.7% të PBB përdorimi, administrimi i parasë fizike, shumë më i shtrenjtë sesa paraja elektronike. Dhe në këtë frymë, me idenë e zhvendosjes nga paraje fizike në transaksione digjitale në formë graduale dhe pa pasur efekte negative është ndjekur kjo qasje në bashkëpunim me aktorë të ndryshëm për të vendosur disa objektiva sasiorë të matshëm”, u shpreh Bregu.

Megjithatë, nisma për të pakësuar paranë në qarkullim shoqërohen edhe me rreziqe të shtuara.

“Pjesa më e madhe e rreziqeve lidhet me kulturën e ulët financiare dhe me vulnerabilitetin që mund të ketë përdorimi i këtyre instrumenteve eklektronike, inovatore për ata që nuk i kanë përdorur më parë. Me këto vjen edhe rreziku i mashtrimit, i tjetërsimit, rreziku i ndoshta mungesës së likuiditetit apo faktorët e tjerë që lidhen me një sjellje që është ndryshe nga ajo që individët bënin më parë. Duhet edukimi dhe ndërthurje në legjislacion që e mbron konsumatorin dhe ka mundësi për ta që kur ndodhin këto raste, të kenë një derë ku të trokasin”, tha Ledia Bregu.

Në paketën fiskale për vitin 2026, qeveria ka ulur më tej limitin e transaksioneve që bizneset mund të bëjnë me para fizike, nga 150 mijë lekë në 100 mijë lekë, si edhe për herë të parë ka vendosur kufizimin prej 500 mijë lekësh për veprimet që individët mund të bëjnë me para në dorë.

Paralelisht, qeveria detyron të gjitha bizneset që brenda vitit 2026 të kenë të instaluara pajisje për pagesa elektronike. /vizionplus.tv